Studentët para MD-së : Zbatoni ligjin, provimi i jurisprudencës të mbahet në shqip

Studentët shqiptarë sot protestuan para Ministrisë së Drejtësisë, me kërkesë që provimi i jurisprudencës të mbahet në gjuhën shqipe, përcjell TV21. Studentët thonë se nuk ka nevojë për zgjidhje të re ligjore, respektivisht se Ligji për Zbatimin e Gjuhëve e përcakton këtë çështje. Mes tjerash, studentët kërkuan edhe dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov.
“Fillkov, ligji flet qartë, ligji flet shqip. Gjuha shqipe është gjuhë zyrtare dhe duhet ta respektoni. Edhe njëherë po të themi, mos të takohemi prapë këtu. Respektoni ligjin, bëje provimin në shqip”, tha Mevaln Ademi, një nga organizatorët e protestës.
“Ky ligj flet qartë, nuk kërkon as ndryshime, as harmonizime e as iniciativa të reja, kërkon vetëm vullnet për ta zbatuar, ashtu siç është. Kërkesa jonë është e thjeshtë. Zbatojeni ligjin, asgjë më shumë e asgjë më pak”, tha Jon Selimi, student.