NASA publikon fotografitë magjepsëse të Artemis II, nga “perëndimi i Tokës” te eklipsi diellor

Agjencia Hapësinore Amerikane, NASA, ka mahnitur botën duke publikuar fotografitë e para të realizuara nga astronautët e misionit Artemis II gjatë fluturimit të tyre historik pranë Hënës. Ky set imazhesh nis me një “perëndim të Tokës” (Earthset) spektakolar, ku planeti ynë shfaqet pas një peizazhi hënor të mbizotëruar nga krateret e shumta, duke ofruar një pamje që të lë pa frymë.
Ndonëse NASA nuk ka specifikuar se cili nga anëtarët e ekuipazhit i ka realizuar këto shkrepje ndërsa ata ndodhen në udhëtimin e kthimit, fotografia e “Earthset” sjell ndërmend imazhin ikonik “Earthrise” të vitit 1968, të kapur nga Bill Anders gjatë misionit Apollo 8.
Kjo pamje e një planeti blu dhe të brishtë përballë errësirës së pafundme të gjithësisë vazhdon të konsiderohet si një nga dëshmitë më të fuqishme mjedisore në historinë e njerëzimit.
Gjatë një fluturimi gjashtëorësh në afërsi të sipërfaqes hënore, ekuipazhi përjetoi edhe momente izolimi total, përfshirë një periudhë heshtjeje radioje kur kapsula Orion ndodhej në anën e fshehtë të Hënës. Sipas njoftimit zyrtar, fotografia e parë u realizua përmes dritares së anijes të hënën në orën 18:41 sipas kohës lindore.
Në këtë imazh, pjesa e errët e Tokës është e zhytur në natë, ndërsa në anën e ndriçuar dallohen qartë re të dendura mbi rajonin e Australisë dhe Oqeanisë. Në plan të parë spikat krateri Ohm me skajet e tij të shkallëzuara dhe majën qendrore, një fenomen gjeologjik që formohet kur sipërfaqja hënore lëngëzohet nga impakti dhe ngrihet lart gjatë procesit të ftohjes.
