Bayern mposht Realin dhe Havertz shpëton Arsenalin në Ligën e Kampionëve

Mbrëmja e parë e çerekfinaleve të Champions League ka prodhuar rezultate befasuese dhe dramë deri në sekondat e fundit.
Në “Santiago Bernabéu”, Bayern Munich ka hedhur një hap të sigurt drejt gjysmëfinales duke mposhtur Real Madridin me rezultat 1-2.
Bavarezët shkëlqyen me Luis Diaz dhe Harry Kane, të cilët realizuan në momentet kyçe të lojës, ndërsa Kylian Mbappe ngushtoi shifrat në minutën e 74-të, duke lënë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit.
Portieri Manuel Neuer ishte padyshim njeriu i ndeshjes, duke ndalur disa herë sulmet e furishme të “Los Blancos”.
Në anën tjetër, Arsenali ka arritur një fitore të madhe dhe mjaft të vështirë në Lisbonë kundër Sporting CP me rezultatin 0-1.
Ndeshja ishte e mbushur me ankth për ekipin e Mikel Artetës, pasi përveç golit të anuluar nga VAR-i për Zubimendin, “Topçinjtë” humbën për shkak lëndimesh edhe dy shtylla të ekipit, Martin Odegaard dhe Leandro Trossard.
Megjithatë, xhokeri Kai Havertz u shfaq në skenë në minutën e 90-të, duke dërguar topin në rrjetë dhe duke i dhënë Arsenalit një avantazh të artë përpara duelit të javës së ardhshme në Londër.