Kuvendi do të mbajë seancë të premten

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet të premten në seancën e radhës plenare. Në rend të ditës për shqyrtim do të jetë një sërë pikash, mes tyre edhe rezoluta e PDK-së për “mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës në Kosovë 1998–1999”, pas pasaktësive të ekspozitës së Shkëlzen Gashit. Megjithatë, për renditjen e kësaj pike sërish nuk pati pajtueshmëri mes grupeve parlamentare në Kryesi.
Kësisoj, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se nuk pati dakordim për miratimin e rendit të ditës, megjithatë, në bazë të rregullores, i takon asaj përgjegjësia për caktimin e rendit të ditës së seancës së premtes.
Haxhiu nënvizoi nevojën që Kuvendi duhet të jetë efikas në miratimin e ligjeve, duke u bazuar në afatin kushtetues për zgjedhjen e presidentit deri më 28 prill.
“Nuk pati një dakordim për rendin e ditës të seancës së premtes. Si kryetare e Kuvendit kam përgjegjësinë të propozoj rendin e ditës për seancën plenare. Unë propozova që kjo të mbahet më 10 prill në orën 10:00. Për shkak të rrethanave që jemi si Kuvend dhe afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit, mendoj se edhe Kuvendi duhet të jetë efikas dhe t’i adresojë përgjegjësitë që i ka para vetes… Rezoluta e përmendur më herët a të jetë pikë e parë e rendit të ditës apo pikë e fundit të rendit të ditës. Për shkak se nuk pati dakordim për këtë çështje, nuk arriti që rendi i ditës të miratohet në Kryesi”, tha ajo.