Salihu: Kushtetuta, gardiane e zbatimit të ligjeve

Njëri nga hartuesit e Kushtetutës, profesori i së drejtës penale, Ismet Salihu, tha se përfaqësuesit politikë ndër vite kanë bërë presion ndaj Gjykatës Kushtetuese, duke sfiduar rregullat kushtetuese dhe vendimet e saj, por siç thotë, gjyqtarët kanë arritur t’u bëjnë ballë me integritet të lartë. Në një bisedë për RTV21, profesori Salihu tha se Kushtetuta është gardiane e zbatimit të ligjeve.

“Ka konotacione apo premisa të një lloj trysnie dhe presioni ndaj Gjykatës Kushtetuese, por me plot kompetencë them se ajo ka arritur t’i sfidojë të gjitha presionet dhe tendencat që aktet, dekretet apo vendimet, të cilat nuk kanë qenë në përputhje me Kushtetutën, t’i shpallë të pavlefshme. Gjykata Kushtetuese është gardiane dhe mbrojtëse e zbatimit të ligjeve dhe akteve të tjera nënligjore, siç janë vendimet e Kuvendit, të Presidentit dhe të Qeverisë. Në të gjitha rastet kur konstatohet se një ligj nuk është nxjerrë në bazë të Kushtetutës, atëherë Gjykata Kushtetuese ndërhyn.”, tha Salihu.

Profesori Salihu vlerëson se Gjykata Kushtetuese po sfidohet edhe nga kërkesat e shumta të subjekteve politike, të cilat kërkojnë sqarime pothuajse për secilin vendim që merret në Kuvend, Qeveri apo Presidencë.

“Një ndër problemet e Gjykatës Kushtetuese është se për disa vendime të Presidencës, Kuvendit apo të Qeverisë, të cilat janë thjesht politike, kërkohen mendime nga Gjykata Kushtetuese nëse janë në përputhje me Kushtetutën. Kjo është një nga problemet me të cilat ballafaqohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Është evidente se shpesh dërgohen vendime dhe ligje për shqyrtim, gjë që paraqet problem për Gjykatën Kushtetuese, pasi kjo nuk ndodh në vendet e tjera të Evropës.”, deklaroi Salihu.

Profesori Salihu po ashtu bëri të ditur se nëse zgjedhja e presidentit nuk bëhet brenda afateve kushtetuese, vendi shkon automatikisht në zgjedhje.

“Nëse brenda afatit kushtetues subjektet politike nuk arrijnë të gjejnë konsensus për ta votuar një president, atëherë vendi shkon në zgjedhje të reja.”, tha Salihu./RTV21/21Media

 

Back to top button