Kosharja një ndër betejat më të lavdishme të historisë së Kosovës

Beteja e Koshares është beteja më e lavdishme e historisë moderne të Kosovës dhe pa këtë luftë historia e vendit tonë do të ishte ndryshe.
Kështu u tha në manifestimin qendror “Ditët e Shqipes 2026”, të mbajtur në Koshare me rastin e 27 -vjetorit të betejës së Koshares ku ranë dëshmorë 114 luftëtare e u plagosën 380 të tjerë, raporton KosovaPress.
Përveç manifestimit në Koshare tek kompleksi memorial bën homazhe krerë shtetëror e lider të partive politike e shumë qytetarë e familjare të dëshmorëve qe ranë gjatë kësaj beteje qe nisi me 9 prill 1999 dhe përfundoi më 10 qershor 1999.
Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu tha se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë dhe se beteja e Koshares është ndër betejat më të lavdishme të historisë sonë moderne.
Ajo u shpreh se 27 vite më parë njësitë e UÇK-së u nisën drejt vijës kufitare, derisa e thyen kufirin që ishte vendosur një shekull më parë padrejtësisht mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Ajo shtoi se në vijën e parë të fronit kur kufiri u thye ishte Agim Ramadani.
“Në atë breza malor luftimet nuk pushuan përkundër ashpërsisë së sulmeve ushtarët e UCK nuk u dorëzuan e mbajtën kufirin të hapur dhe nuk u tërhoqën me asnjë çmim. Luftimet vazhduan deri në qershor atëherë u përfshinë brigada të tëra të njësive speciale grupe operative e luftëtarë nga të gjitha anët e Kosovës nga gjitha trojet shqiptare dhe nga mërgata jonë. Betejës së Koshares iu bashkuan edhe vullnetarë të huaj që zgjodhën të luftojnë këtu disa prej tyre ranë në Koshare krahë për krahë më luftëtarët tanë… kjo dëshmon se lufta jonë për liri ishte e drejtë ndaj pati jehonë aq të madhe e të gjerë sa që mora përkrahje nga e gjitha bota demokratike. Në betejën e Koshares 114 luftëtarë të UCK u vranë dhe mbi 380 u plagosen këta luftëtarë që ia mësynë Koshares atë pranverë e dinin mirë se ku po hynin e dinin që kthimi nuk ishte i sigurt por liri hynë e për liri ranë dhe lirinë e sollën. Beteja e Koshares është nder betejat më të lavdishme të historisë sonë moderne shteti i Kosovës është i ndërtuar mbi këtë guxim mbi vendime të marra në kushte thellësisht të rrezikshme dhe mbi sakrificë brezash të tërë. Nderimi i heronjve dhe luftëtarëve te brigadës 138 ‘Agim Ramadani’ në kuadër të manifestimit ‘Ditët e Shqipes’ dëshmojë vendosmërinë tonë për te punuar me përkushtim që Kosova të bëhet ashtu siç e ëndërruan ata ranë për liri”, tha ajo.
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla tha se beteja e Koshares është ndër momentet pa të cilat historia do të ishte zhvilluar ndryshe.
Ajo tha se në Koshare u largua guri i ndarjes mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe u godit një regjim qe mendonte qe gjithmonë Kosovën do ta mbante nën pushtimin e saj.
“Për te kujtuar një nga ato momente pa të cilat historia jonë do të ishte zhvilluar ndryshe sepse në Koshare nuk u zhvillua vetëm një betejë në Koshare u largua njëherë e përgjithmonë ai guri i ndarjes për dekada na ishte imponuar me dhunë në një luftë të pabarabartë me një ushtri të armatosur deri në dhëmb u godit një regjim që mendonte qe Kosovën mund ta mbante të pushtuar të nënshtruar dhe parrugdalje dhe u dëshmua se liria e këtij vendin nuk do të mbetej peng i asnjë kufiri të padrejtë dhe i asnjë pushtuesi sa do i fort ushtarakisht. Në Koshare nuk pati vend për iluzione hynin në zjarr, e dinin se mund të mos ktheheshin, e dinin se liria nuk po afrohej si premtim po si përballje. Beteja e Koshares e zë një vend të veçantë në kujtesën historike dhe shtetërore të Republikës sonë….Kosharja është pjesë e themelit politik dhe moral të Republikës së Kosovës, ajo na rikujton një të vërtetë që nuk duhet të zbehur kurrë, shteti ynë nuk është produkt i rastësisë, nuk është produkt i rehatisë, nuk është produkt i kompromisit me padrejtësinë”, tha Gërvalla.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ish-komandanti i Zonës së Dukagjinit, Ramush Haradinaj tha se po të mos ishte beteja e Koshares marrëveshja e Kumanovës nuk do të ishte ajo qe u nënshkrua.
“Është me rëndësi ta kthejmë në kujtesë 9 qershori, marrëveshja e Kumanovës, ka mund të mos jetë e tillë, sikur mos të ishte lufta e Koshares. Pra një epilog i luftës do të arrihej, por pa luftën e brigadës së Koshares, pa këtë intensitet të sulmi, pa këtë intensitet të goditjes së armikut, pa depërtimin frontal e marrjes së një pjesë të territorit në përgjithësi të armikut, është e mundur që 9 qershori marrëveshja e Kumanovës ka mund të jetë tjetër, më e keqe”, tha Haradinaj.
Ish- komandanti i zonës së Brigadës 138, Rrustem Berisha i cili tha se heqja e kufirit shqiparo-shqiptar nuk ishte rastësi por frytë i përgatitjeve të palodhshme dhe guximit të luftëtarëve.
“Pa përgatitje të mëdha nuk ka fitore të madhe. Heqja e kufirit me luftë nuk ishte rastësi, por ishte fryt i përgatitjeve të palodhshme, i guximit dhe i vendosmërisë së luftëtarëve tanë. Kjo u dëshmua më së miri në frontin e Koshares, ku vullneti për liri u shndërrua në vepër dhe në veprim të organizuar ushtarak, dhe në një operacion historik për heqjen e kufirit. Janë disa faktorë kyç që ndikuan drejtpërdrejt në suksesin e këtij fronti. Siç janë përzgjedhja e drejtimit të sulmit, unifikimi i forcave, përvoja e njësive të grupit të tretë operativ dhe të bashkëluftëtarëve të tjerë në luftën e zhvilluar në vitin 1998, rritja e kapaciteteve, përgatitjet, trajnimet intensive, si dhe hartimi i planit operativ për heqjen e kufirit, që u hartua nga komanda e përparuar e udhëhequr nga Agim Ramadani, dhe u prezantua bashkë Agimi me Saliun dhe e miratova unë si komandant i grupit të tretë operativ. Zbatimi i këtij plani operacional shënon fillimin e një ndër ofanzivave më të rëndësishme të luftës”, tha ai.
Përveç kësaj, Berisha pati një kritik karshi institucioneve për mos realizim të projektit për kompleksin memorial në Koshare.
“Fatkeqësisht ende nuk kemi diçka konkrete për tu paraqitur familjarëve të heronjve dhe veteraneve të kësaj beteje heroike proceset institucionale do të duhej të qonin përpara këtë projekt dhe kanë mbetur në vend numëro tenderi për fazën e katërt i nisur që para pandemisë nuk është shoqëruar me punime në terren në gusht të vitit 2022 u rishpall ritenderimi nga agjencia për menaxhim të komplekseve memoriale me afat fillimi 15 shtator 2022 dhe përfundim 30 dhjetor 2024, megjithatë ky projekt nuk ka nisur”, tha ai.
Përballja me forcat serbe që nisi më 9 prill 1999, në kuadër të operacionit “Shigjeta”, është njëra ndër më të përgjakshmet dhe më heroiket e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Beteja e Koshares ishte njëra ndër hallkat më të fuqishme në zinxhirin e pakëputshëm të historisë kombëtare dhe si e tillë do të përkujtohet gjithmonë ndër shqiptarë.