Konjufca: Serbia ta njohë Kosovën e mos ta mbajë peng gjithë rajonin

Kryediplomati Glauk Konjufca në Këshillin e Sigurimit të OKB’së i ka bërë thirrje Serbisë që të njohë pavarësinë e Kosovës dhe të mos e mbajë peng integrimin e rajonit në struktura euroatlantike.
“I bëjmë thirrje Serbisë që të ballafaqohet me realitetin e vet dhe ta njohë Kosovën si shtet i pavarur dhe sovran, duke mos e mbajtur peng gjithë shoqërinë e rajonin të një hegjemonie të tillë”.
Konjufca foli për procesin zgjedhor të rregullt dhe tha se Kosova ka ndërtuar institucione të pavaruara e demokratike për të ruajtur stabilitetin.
Këtu ai përmendi ndërhyrjet e Serbisë në procesin zgjedhor.
“Beogradi ka vazhduar të luajë rolin e vet destruktiv duke u përpjekur të ndërhyjë në zgjedhje, duke u përpjekur për ta mbështetur Listën Serbe në zgjedhjet në Kosovë, duke synuar ta reflektojë drejtimin e vet me një parti në pushtet. Ne kemi penguar ndërhyrje të tilla të huaja dhe kemi arritur të ruajmë dinjitetin e institucioneve tona demokratike”, shtoi ai.
Konjufca tha se pengesa e vetme për normalizim raportesh është Serbia.
“Kosova mbetet e gatshme të normalizojë marrëdhëniet ndërshtetërore dhe fqinjësore, megjithatë pengesë ndaj paqes dhe normalizimit të marrëdhënieve mbetet Serbia që as nuk është e interesuar t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën e as të hyjë në BE. I bëjmë thirrje Serbisë të ballafaqohet me realitetin e vet dhe ta njohë Kosovën si shtet të pavarur e sovran dhe të mos mbajë peng të gjithë rajonin të një hegjemonie”, deklaroi Konjufca.