Mbretëria e Bashkuar në KS: Thirrje Serbisë për ulje tensionesh, të sjellë para drejtësisë Radoiçiqin

Burimet për buxhetin e OKB-së do të drejtohen aty ku do të ketë ndikim më të madh e theksoi Përfaqësuesja e Mbretërisë së Bashkuar në OKB, Jennifer MacNaughtan në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që po mbahet sot.
“Me presionin gjithnjë e më të madh mbi buxhetin e OKB-së, burimet do të drejtohen aty ku ne mund të kemi ndikim më të madh. Kushtet në terren në Kosovë janë krejtësisht të tjera nga ato të vitit 1999. Mirëpresim përpjekjet për të rregulluar balancimin në raportimin e UNMIK-ut dhe inkurajojmë qartësinë mbi qëllimin e misionit, duke u përqendruar në parandalimin e konflikteve”, tha ajo.
Ajo tha se një rishikim strategjik i rolit, përgjegjësive dhe financimit të UNMIK-ut është dashur të bëhej më herët. Shtoi se zvogëlimi prej 8.6 për qind që është rekomanduar, duhet të sjellë efikasitet të vërtetë dhe të ndihmojë që UNMIK-u të jetë efikas në kryerjen e punës për të cilën është krijuar.
Macnaughatan tha se e mbështet rrugëtimin euroatlantik të Kosovës si një demokraci përfshirëse dhe shumetnike si një nga shtetet e para që e ka njohur shtetin e Kosovës.
“Ne i inkurajojmë ato shtete anëtare që nuk e kanë bërë ende këtë, t’i bashkohen shumicës. Siç e ka theksuar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka qenë shkelje e së drejtës ndërkombëtare. Njohja është esenciale për stabilitetin afatgjatë dhe për shfrytëzimin e plotë të potencialit të Kosovës”, u shpreh ajo.
Mbretëria e Bashkuar ka vlerësuar gjithashtu zhvillimet e fundit politike në vend, duke përgëzuar mbajtjen paqësore të zgjedhjeve dhe formimin e institucioneve të reja. Mirëpo përfaqësuesja ka inkurajuar edhe procesin për zgjedhjen e presidentit në përputhje me Kushtetutën.
Ajo i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të implementojnë marrëveshjet ekzistuese dhe të zgjidhin mospajtimet përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
“Mirëpresim themelimin e Komisionit për Personat e Zhdukur dhe implementimin e Ligjit për të Huajt. Përsërisim thirrjen ndaj Serbisë që të luajë rolin e saj për të ulur tensionet dhe për të sjellë para drejtësisë personat përgjegjës, përfshirë këtu edhe Radoiçiqin. Gjithashtu, bëjmë thirrje për llogaridhënie për sulmet kundër KFOR-it dhe personelit të Policisë së Kosovës në maj të vitit 2023”, u shpreh ajo.
Ajo shtoi se rishikimi i rolit të UNMIK është i domosdoshëm, ndërsa progresi në dialog dhe funksionimi i institucioneve vendore duhet të shfrytëzohen për të avancuar stabilitetin afatgjatë.