Rikthehet Superliga, vëmendja te dueli i vetëm i ditës

Superliga e Kosovës, rikthehet sot më 11 prill në aksion, ku në program është vetëm një përballje, ajo mes Prishtinës së Re dhe Malishevës. Kjo ndeshje zhvillohet në kuadër të xhiros së 28-të dhe pritet të jetë mjaft e rëndësishme për të dy skuadrat, në këtë fazë të sezonit.
Prishtina e Re hyn në këtë takim me synimin për të siguruar mbijetesën në elitën e futbollit kosovar. Një rezultat pozitiv për vendasit do t’i mbante gjallë shpresat për të qëndruar në Superligë, ndërsa humbja mund t’i komplikojë seriozisht gjasat e tyre.
Në anën tjetër, Malisheva synon të vazhdojë garën për kreun e tabelës dhe për pozitat që sigurojnë daljen në garat evropiane. Pas një sezoni me ulje e ngritje, mysafirët kërkojnë pikë të plota për të qëndruar në hap me rivalët direktë.
Ndeshja zhvillohet në fushën sintetike të Kampit Nacional të FFK-së, në Hajvali derisa kujtojmë se në përballjen e fundit mes këtyre dy skuadrave, Malisheva kishte triumfuar me rezultat minimal 1-0.
Takimi i sotëm pritet të nisë nga ora 15:00, ndërsa pjesa tjetër e ndeshjeve të kësaj xhiroje do të zhvillohen të dielën.