Çështja e presidentit, Abdixhiku: Nuk kemi folur për emra me Kurtin, s’ka gjasa të vetëpropozohem

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë sot se në takimin e fundit që ka zhvilluar me kryeministrin, Albin Kurti nuk kanë folur për emra konkretë për president. Ai ka thënë se partia e tij është kundër që një partie t’i takojnë tri pozicionet shtetërore, presidenti, kryeministri e kryetari i Kuvendit.

“Nuk kemi folur për emra, aq më pak për emrin tim. Pra kemi folur për dy propozimet aktuale që janë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe dje në mëngjes i kam dërguar përgjigje që LDK-ja nuk mund të mbështet një skenar në të cilin të tri kandidaturat, të tri pozicionet shtetërore i takojnë një partie politike. Tani shohim gjatë javës së ardhshme për të parë mundësinë e takimeve të tjera. Nuk kemi propozuar emër, nuk kemi dhënë asgjë, dhe nuk na është kërkuar ende asgjë. Kjo është e vërteta e vetme. Dhe mbi këtë të vërtetë do shohim se si do zhvillohen çështjet tutje”, deklaroi ai.

Abdixhiku theksoi se nuk mund të vetëpropozohet për postin e presidentit, pasi shton se çështja është konsensuale.

“Jo, s’ka gjasa të vetëpropozohem sepse çështja e presidentit është çështje konsensuale. Pra, duhet të flasim për parimet njëherë. Mos t’i ngatërrojmë. Nuk po flasim për akomodime individuale në këtë fazë. Aq më pak për një pozicion kaq të rëndësishme shtetërore. Pra flasim për interesa ndërpartiake. Pra a ka mundësi që partitë të akomodohen rreth një marrëveshjeje shumë më të madhe. Në qoftë se jo, atëherë përgatitemi për zgjedhje të reja”, tha Abdixhiku.

Duke folur për takimet me partitë e opozitës, i pari i LDK-së bëri të ditur se ka takuar kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, por tha se kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka refuzuar takimin me të.

“Po jam takuar me zotërinë Hamza. Kam zhvilluar diskutime për të parë pozicionin e tyre. Zotëri Haradinaj ka pasur refuzim takimi, me thënë të drejtën është qëndrim i tyre që s’duan të takohen po mos të ankohen pastaj, sepse takimi është parakusht i diskutimeve normale njerëzore. Si duket zotëri Haradinaj e ka keqkuptuar mirësinë time për të pasur komunikim, po në qoftë se s’do me u taku, punë madhe”, deklaroi ai.

Back to top button