Apeli kthen në rigjykim rastin “Brezovica 1”, Themelorja përshkroi provat pa i analizuar ato

Është kthyer në rigjykim nga Apeli rasi i njohur si “Brezovica 1” me të akuzuar Dragomir Milosavljeviq, Hysni Bajrami dhe Labinot Vitija. Sipas Apelit Gjykata Themelore në Ferizaj vetëm përshkroi provat pa i analizuar ato.

“Nga përmbajtja e arsyetimit rezulton se gjykata e shkallës së parë ka bërë vetëm një përshkrim të përgjithshëm të provave të administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, pa i analizuar ato në mënyrë të veçantë, nuk ka bërë ndërlidhjen e domosdoshme ndërmjet provave konkrete dhe elementeve përbërëse të veprës penale, duke mos sqaruar se në çfarë mënyre nga secila provë e administruar është nxjerrë përfundimi për ekzistimin e elementeve objektive dhe subjektive të veprës penale për secilin të pandehur veç e veç”, thuhet në vendimin e Apelit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Themelorja në Ferizaj më 4 korrik 2024 të akuzuarin Dragomir Milosavljeviq dhe Hysni Bajrami për kepërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar i kishte dënuar me nga 1 vit burgim veç e veç dhe dënim me plotësues ndalim i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik prej 1 viti, ndërsa Labinot Vitijën me 1 vit burgim për veprën penale ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit.

Në këtë rast po akuzohet edhe Gentjan Sula, mirëpo ai po gjykohet ndaras ndaj tre të tjerëve.

Çka thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit?

Fillimisht, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka paraqitur ankesë për shkak të vendimit mbi dënimin, si dhe ka kërkuar që Milosavljeviq dhe Bajrami të shpallen fajtorë edhe për dy vepra të tjera penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar, vepra nga të cilat janë liruar nga Themelorja.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Milosavljeviq, avokati Dalip Bega, ka kërkuar nga Apeli që klienti i tij të lirohet nga përgjegjësia dhe dënimi i shqiptuar.

Po ashtu, mbrojtësi i Bajramit, avokati Elmaz Zenuni, ka kërkuar nga Apeli që klienti i tij të lirohet nga akuza, ose çështja të kthehet në rigjykim para një trupi tjetër gjykues.

Dhe krejt në fund, ankesë ka paraqitur mbrojtësi i Vitijës, avokati Betim Shala, duke kërkuar që çështja të kthehet në rigjykim ose Vitija të lirohet nga aktakuza.

Në anën tjetër, Prokuroria e Apelit ka propozuar që të aprovohet ankesa e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, ndërkaq ankesat e mbrojtësve të akuzuarve t’i refuzojë si të pabazuara.

Gjetjet e Apelit:

Apeli, pas analizimit, ka gjetur se vendimit të shkallës së parë i mungojnë arsyet për faktet vendimtare, të cilat nuk janë vlerësuar në mënyrë të plotë dhe gjithëpërfshirëse me provat personale dhe materiale.

Më tutje, Apeli ka gjetur se nuk janë dhënë shpjegimet e nevojshme lidhur me kontradiktat në përmbajtjen e tyre, gjë që aktgjykimin e bën të pakuptueshëm dhe kontradiktor, e që domosdoshmërisht kushtëzon anulimin e aktgjykimit të ankimuar dhe kthimin e çështjes në rigjykim.

Po ashtu, në arsyetim, Apeli vlerëson se sa i përket fakteve vendimtare ka kundërthënie të konsiderueshme mes asaj që paraqitet në arsyetim të aktgjykimit dhe përmbajtjes së provave të administruara në shqyrtim gjyqësor. Konkretisht, arsyetimi i aktgjykimit në pjesën e vlerësimit të provave është i paqartë, në raport me provat e administruara, duke ndikuar që aktgjykimi të mos jetë i përpiluar në pajtim me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale.

Apeli ka theksuar se nuk mjafton që në arsyetimin e aktgjykimit të bëhet vetëm listimi apo përshkrimi formal i provave të administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Apeli ka rikujtuar se gjykata është e obliguar që të sqarojë në mënyrë konkrete se cilat fakte janë vërtetuar me secilën provë të veçantë, cilat prova i mori si të besueshme, për çfarë arsye dhe si ka arritur në përfundimin për shpalljen fajtor të të akuzuarit Labinot Vitija për veprën penale për të cilën është akuzuar.

Për Vitijën, Apeli ka gjetur se në dispozitiv të aktgjykimit thuhet se ka ndërtuar katër vikend shtëpiza në zonën e III-të të Parkut Kombëtar Sharri, ndërkaq në arsyetim të aktgjykimit thuhet se ka ndërtuar pesë vikend shtëpiza në zonën II dhe III të parkut kombëtar “Sharri”.

Po ashtu, në aktgjykim thuhet se shtëpizat janë ndërtuar në Zonën III të Parkut Kombëtar “Sharri”, ndërsa në arsyetim konstatohet se ndërtimet janë realizuar në Zonën II dhe III të Parkut Kombëtar “Sharri”.

Andaj, sipas Apelit, lind pyetja se Vitija i ka ndërtuar katër (4) vikend shtëpiza në Zonën III të Parkut Kombëtar Sharri, siç thuhet në dispozitivin e aktgjykimit, apo pesë (5) vikend shtëpiza në Zonën II dhe III të Parkut Kombëtar “Sharri”, siç rezulton nga arsyetimi i tij?

Apeli ka gjetur shkelje edhe sa i përket pjesës liruese të aktgjykimit për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, me të akuzuar Milosavljeviq dhe Bajrami.

Sipas Apelit, shkalla e parë ka qenë e detyruar që të japë arsyetim edhe kur personat lirohen nga akuza, obligim ky i paraparë në Kodin e Procedurës Penale.

Rekomandimet e Apelit për shkallën e parë në Ferizaj:

Në fillim, Apeli ka rekomanduar të administrojë të gjitha provat personale dhe materiale dhe të vlerësojë me kujdes secilën provë veç e veç, duke i lidhur me njëra-tjetrën.

Tutje, në bazë të vlerësimit të tillë, të nxjerrë përfundim nëse faktet konkrete janë provuar, të rishqyrtojë me kujdes relevancën e fakteve që pretendohet të vërtetohen dhe ndikimin e tyre në vërtetimin e plotë.

Më tutje, veçanërisht lidhur me veprimet e të akuzuarve në raport me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre në rastin konkret, varësisht nga rezultati i vlerësimit të provave, të nxjerrë konkluzione të drejta, të ligjshme dhe të bazuara në provat e administruara dhe në fund të marrë një vendim të drejtë, të ligjshëm dhe të arsyetuar mjaftueshëm për çdo pikë të aktgjykimit, ashtu siç parashihet në dispozitat ligjore.

Sipas aktakuzës së ndryshuar më 31 maj 2024, të akuzuarit Dragomir Millosavljeviq dhe Hysni Bajrami ngarkoheshin se prej 30 dhjetorit 2015 deri më 9 gusht 2019 si inspektorë komunalë të ndërtimit në Komunën e Shtërpcës nuk kanë ndërmarrë veprime për të ndaluar mbindërtimin e objektit hotelier “Kaona” me pronare Sanije Geci, i cili objekt në kundërshtim me lejen ndërtimore është ndërtuar në parcelat kadastrale numër 5799/16 dhe 5799/17 ZK Verbeshticë, të cilat gjenden në zonën e III-të të Parkut Kombëtar “Sharri”.

Aktakuza e ndryshuar thotë se për këtë objekt, leja ndërtimore është dhënë sipas projektit për sipërfaqen prej 835,14m², kurse investitori ka vazhduar me zgjerimin e sipërfaqes bazike të objektit duke kaluar 2.95 m në pronën ujore të Lumit Murrzhica, si dhe ka vazhduar me mbindërtim duke rritur sipërfaqen në 1821,56 m, i cili ndërtim është përfunduar në kundërshtim me Ligiin për Ujërat e Kosovës, Ligiin për ndërtimin dhe Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”.

Me këtë, ngarkoheshin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par.1 të Kodit Penal.

Gjithnjë sipas aktakuzës së ndryshuar, të akuzuarit Millosavljeviq dhe Bajrami ngarkoheshin se prej 24 korrikut 2017 deri më 9 gusht 2019, si inspektorë komunalë të ndërtimit në Komunën e Shtërpcës, nuk kanë ndërmarrë veprime për të ndaluar ndërtimin tetë vikend shtëpive në parcelën kadastrale 5713 ZK Verbeshticë, e cila gjendet në Zonën e II të Parkut Kombëtar Sharri, të investitorit Riad Hasani, për të cilat vikendshtëpiza ishin anuluar lejet ndërtimore nga Drejtoria e Urbanizmit sipas vendimit të 24 korrikut 2017, të cilat janë ndërtuar në kundërshtim me Ligjin për ndërtimin, Ligjin per mbrojtjen e mjedisit, Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri” dhe Planin Hapësinor për Prakun Kombëtar “Sharri”.

Me këtë, akuzoheshin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par.1 të Kodit Penal.

Aktakuza e ndryshuar thotë se nga 5 nëntori 2018 deri më 9 gusht 2019, Millosavljeviq dhe Bajrami, ngarkohen se nuk kanë ndërmarrë veprimet për ndërprerjen e punimeve në objektin e investitorit Dalibor Trufunoviq, i cili ishte duke ndërtuar pa leje ndërtimore, me ç’rast tani të pandehurit në cilësinë e inspektorëve të ndërtimit kanë kryer inspektimet, kanë hartuar procesverbalet dhe kanë nxjerrë vendim me të cilin kanë urdhëruar investitorin për ndërprerjen e punimeve dhe rrënimin e objektit pa leje, mirëpo nuk kanë vendosur shiritat për ndërprerjen e punimeve, kështu që objekti është ndërtuar në kundërshtim me Ligjin për ndërtimin, Ligjin për Ujërat e Kosovës dhe Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”.

Me këtë, ngarkoheshin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par.1 të Kodit Penal.

Sipas aktakuzës së ndryshuar, i akuzuari Labinot Vitijaj ngarkohej se nga 22 shkurti 2011 deri më datën 15 korrik 2016, në Parkun Kombëtar “Sharri” vikend-zona e Brezovicës, ka degraduar mjedisin duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore, drunjtë e parkut, duke ndërtuar 4 vikend shtëpiza në Zonen e III-të dhe një vikend shtëpizë në zonën e II-t të Parkut Kombetar “Sharri”, në parcelat kadastrale 5713/4, 5713/5, 5713/6 dhe 5716/6 dhe 5717/6, Zona Kadastrale Verbeshticë, me kulturë “Livadh dhe Mal”, në kundërshtim me Ligiin për mbrojtjen e mjedisit dhe Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri”, të cilat ndërtime kanë degraduar mjedisin në pasuritë e mbrojtura të Parkut Kombëtar “Sharri”.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit” nga neni 347, par.1 lidhur me par.5 të Kodit Penal.

Të akuzuar në rastin “Brezovica 1” janë Dimitrije Reciceviq, Dragomir Millosavljeviq, Hysni Bajrami, Sanije Geci, Naser Kelmendi, Fatmir Grainca, Blerim Imeri, Riad Hasani, Labinot Vitija, Gentjan Sula dhe Arian Idrizaj.

Në seancën e mbajtur më 9 gusht 2023, prokurori Rasim Maloku është tërhequr nga akuza ndaj të akuzuarve Dimitrije Reciceviq dhe Sanije Geci.

Më 1 shkurt 2024, tre të akuzuarit Blerim Imeri, Naser Kelmendi dhe Arian Idrizaj janë dënuar 65 mijë euro (së bashku) për veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”

Kurse, më 5 shkurt 2024, i akuzuari Gentjan Sula është deklaruar i pafajshëm për veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”. Ndaj tij, në seancën e mbajtur më 6 shtator 2023, ishte veçuar procedura.

Ndërsa, në seancën e mbajtur më 6 shkurt 2024, i akuzuari Riad Hasani është dënuar me 15 mijë euro gjobë për veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”.

Më 15 shkurt 2024, i akuzuari Fatmir Grainca është dënuar me 15 mijë euro gjobë për veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”.

Andaj, gjykimi në rastin “Brezovica 1” është duke vazhduar për të akuzuarit Dragomir Millosavljeviq, Hysni Bajrami, Labinot Vitija dhe Gentjan Sula. Ky i fundit në gjykim të ndarë ndaj tre të tjerëve./Betimiperdrejtesi

Back to top button