Haxhiu autorizon dërgimin e FSK-së në Gaza

Ushtruesja e detyrës e Presidentes, Albulena Haxhiu ka njoftuar se, pas miratimit nga Kuvendi i Kosovës, është autorizuar dërgimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në një operacion ndërkombëtar paqeruajtës në Gaza.

Sipas saj, vendimi pasqyron përgjegjësinë e Kosovës ndaj sigurisë së qytetarëve dhe paqes ndërkombëtare.

“Pas miratimit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, sot autorizova dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në operacion ndërkombëtar paqeruajtës, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza. Ky vendim pasqyron një Kosovë që e kupton sigurinë si detyrim ndaj qytetarëve të saj dhe si përgjegjësi ndaj paqes dhe rendit ndërkombëtar”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo theksoi se Kosova, nga një vend që dikur kishte nevojë për mbështetje, tashmë po jep kontribut në arenën ndërkombëtare.

Gjithashtu, u vlerësua profesionalizmi i FSK-së dhe gatishmëria për të shërbyer krah partnerëve strategjikë.

“Nga një vend që dikur kishte nevojë për mbështetjen e të tjerëve, Kosova sot merr përgjegjësi dhe jep kontribut në skenën ndërkombëtare.

Forca e Sigurisë së Kosovës është një institucion i ndërtuar me profesionalizëm dhe standarde të larta, e gatshme të shërbejë krah partnerëve tanë strategjikë. Pjesëmarrja në misione të tilla dëshmon pjekurinë shtetërore të Republikës sonë dhe vendin që Kosova po e forcon çdo ditë në arenën ndërkombëtare”, ka shkruar ajo në Facebook.

Back to top button