​Doganat Kosovë–Shqipëri thellojnë bashkëpunimin për tregtinë

Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu ka takuar homologun e tij nga Shqipëria Besmir Beja me bashkëpunëtorë.

Gjatë takimit, të dy drejtorët vlerësuan bashkëpunimin e thellë dhe të qëndrueshëm ndërmjet dy administratave, duke theksuar se të dyja vendet ofrojnë kapacitete të konsiderueshme për zhvillim të përbashkët.

Në njoftim bëhet e ditur se integrimi i deritanishëm, i cili ka mundësuar zhdoganimin në Portin e Durrësit, ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe fuqizimin e transitit përmes këtij porti, duke përbërë një dëshmi të fuqishme të përfitimeve konkrete nga ky bashkëpunim.

“Në takim u diskutuan gjithashtu zhvillimet më të fundit në të dy administratat dhe u identifikuan fusha të reja për thellimin e bashkëpunimit, me fokus në lehtësimin e tregtisë, rritjen e transparencës dhe avancimin e proceseve të përbashkëta”, thuhet në komunikatë.

Më tej thuhet se palët ritheksuan angazhimin për koordinim të ngushtë dhe, në këtë kuadër, u dakorduan për të ndjekur një plan të përbashkët me fusha të identifikuara bashkëpunimi, me qëllim që shkëmbimet të jenë të shënjestruara dhe në përputhje me interesat strategjike të administratave të të dyja vendeve.

Back to top button