May dhe konservatorët arrijnë pragun 50 për qind të votave

Theresa May i befasoi të gjithë duke kërkuar zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme më 8 qershor

Gjysma e britanikëve mbështesin Partinë konservatore të kryeministres Theresa May para zgjedhjeve legjislative të parakohëshme që do të mbahen në qershor, sipas një sondazhi të publikuar sot.

“Është hera e parë që prej janarit 1951 që konservatorët arrijnë pragun simbolik prej 50 për qind të votave”, thekson instituti i sondazheve ComRes, që ka kryer këtë studim për tabloidin “The Sunday Mirror”.

Konservatorët kanë fituar katër pikë në raport me javën e kaluar ndërkohë që laburistët mbeten në nivelin 25 për qind, partia e qendrës e Liberal-demokratëve, pro-evropiane mbetet në nivel të qendrueshëm prej 11 për qind.

Nën skenarin e një fitoreje dërmuese, May do të ketë dorë të lirë sepse do të lërë vetëm disa pjesë të vogla për laburistët e Jeremy Corbyn, që kanë humbur të paktën 90 deputetë. Ajo do të thyejë gjithashtu rekordin e Tony Blairit (Labourist), i cili fitoi zgjedhjet në vitin 1997 me 418 deputetë nga 650 të tillë në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar.

Sipas disa sondazheve të tjera të publikuara në fundjavë, konservatorët vendosen në një nivel më të ulët me rreth 40-48 për qind të votave dhe Partia Laburiste me rreth 25-29 për qind, shtatë javë nga votimi.

Kryeministrja konservatore britanike, Theresa May i befasoi të gjithë duke kërkuar zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme më 8 qershor, një hap destinuar për të riforcuar maxhorancën në kuadër të negociatave për Brexit.

Back to top button