Siguria e Gazetarëve në Kosovë
Nga janari i këtij viti janë regjistruar 7 raste të formave të ndryshme të presionit dhe kërcënimeve mbi gazetarët
Me rastin e Ditës Bitërore të Lirisë së Medias Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë po zhvillon konferencën me temë “Siguria e Gazetarëve në Kosovë”.
Arben Hajredinaj nga OSBE tha se Misioni i OSBE-së viteve të fundi ka punuar shumë duke adresuar problemet e gazetarëve duke filluar nga kërcënimet shantazhet dhe kushtet në të cilat ata punojnë në Kosovë.
Sipas tij, statistikat zyrtare që kanë në bashkëpunim me AGK-në tregojnë se nga janari i këtij viti janë regjistruar 7 raste të formave të ndryshme të presionit dhe kërcënimeve mbi gazetarët.
Kryeredaktorja e gazetës “Zëri”, Arbana Xharra, duke paraqitur rastet e kërcënimeve që ka marrë nga persona dhe grupe të ndryshme tha se në Kosovë po krijohet një ambient ku po cenohet liria e mediave dhe fjala e lirë. Sipas saj organet e drejtësisë nuk po japin rezultate pozitive në hulumtimin e këtyre rasteve ndaj të cilave po krijohet komoditet dhe normalitet.
Ndërsa, producenti i KTV-së, Fatmir Lama, ndaj të cilit po ashtu ka pasur kërcënime të ndryshme, u bëri thirrje gazetarëve që mos të heshtin dhe se nuk duhet të frikësohen. Vlerësoi se heshtja i mbulon të gjitha marritë, prandaj duhet me rreziku për ta treguar të vërteten. Sipas tij pushteti është neglizhent dhe nuk po merret me ata që kërcënojnë shoqata e individ.
Ai përmendi edhe nismën e Presidentit Thaci për ndryshimit në Kodin Penal përmes të cilit ishte i paraparë dënimi ndaj atyre që shpifin dhe ofendojnë krerët e shtetit përfshirë edhe Presidentin. Ai më tutje shtoi se ka vdekë koha e pushteteve dhe individeve të pakritikueshëm./21Media