SHBA mbështet ndërprerjen e punimeve në rrugën Deçan – Plavë
Delaiwe: SHBA-ja pajtohet plotësisht me deklaratën e OSBE-së
Gjatë ditës së djeshme, kisha ortodokse serbe në Kosovë reagoi në lidhje me punimet që po zhvilloheshin në ndërtimin e rrugës nga Deçani për në Plavë të Malit të Zi.
Ata, bashkë me Listën Serbe e me shefin e zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, thanë se me këtë po bëhet shkelje ligjore pasi po ndërhyhet në zonë të mbrojtur.
Ndaj këtyre deklaratave pati reagime nga organet komunale të Deçanit.
Fillimisht ishte kryetari i Komunës, Bashkim Ramosaj, ai që tha se është i pavërtetë pretendimi i serbëve se po punohet në zonë të mbrojtur pasi nga aty vetëm janë hequr disa gurë që kanë penguar qarkullimin e lirë të automjeteve.
Njëjtë pati reagim edhe nga ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, i cili tha se rruga Deçan – kufiri me Malin e Zi, e cila ka filluar para një muaji, është duke u zhvilluar pa e cenuar zonën e mbrojtur.
Mirëpo, në orët e vona të ditës së djeshme, misioni i OSBE-së në Kosovë doli me një deklaratë ku tha janë ndaluar punimet në këtë rrugë.
“E kemi ndjekur me shqetësim atë që duket të jetë ndërtim i paligjshëm i rrugëve, që po vazhdon që nga dje, brenda Zonës së Veçantë të Mbrojtjes (SPZ) të Manastirit të Deçanit. Mirëpresim vendimin e pasdites së sotme për të ndaluar punimet brenda SPZ-së. Misioni monitorues i OSBE-së ka konfirmuar se punimet në rrugë janë ndaluar dhe makineria e rëndë është larguar nga SPZ”, tha OSBE.
Kjo organizatë tha se çdo punë brenda SPZ-së duhet të jetë në pajtim të Këshillit për Zbatim dhe Monitorim (IMC) dhe u bëri thirrje të gjithë të përfshirëve që të gjejnë një zgjidhje të pranueshme nga të dyja palët në pajtim me ligjin e Kosovës dhe përkushtimeve ndërkombëtare.
Edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, doli në mbështetje të vendimit për ndalim të punimeve.
“SHBA-ja pajtohet plotësisht me deklaratën e OSBE-së”, tha Delawie në një postim në Twitter, duke mbështetur kështu ndalimin e punimeve në rrugën Deçan-Plavë.