“Shqiptarët faktorizohen nëse bëhen bashkë”

Qeveria e re në Maqedonii, me apo pa Besën?!

Në kohën kur presidenti Ivanov nuk e lëshon nga duart mandatin për formimin e qeverisë, shumica parlamentare diskuton për formacionin e ardhshëm qeveritar. LSDM i do të gjitha partitë shqiptare në koalicion, por Lëvizja Besa ende përballet me dilemat se a do të jetë pjesë e qeverisë reformatore, apo do të shkojë në opozitë me VMRO-DPMNE-në. Tahir Hani nga BDI thotë se Besa nuk është e detyruar të jetë pjesë e kësaj qeverie nëse nuk ndjehet rehat, shkruan TV21.TV

“Me vetë faktin që Lëvizja Besa është në dilemë se a duhet të marrë pjesë, është vendimarrja e saj, dhe nuk është se ne si BDI duam të imponojmë ndonjë qëndrim ndaj Besës”, tha Hani.

Por Ismet Ramadani mendon se rruga më e mirë për të qenë shqiptarët më të fuqishëm se kurrë më parë në pushtet, është që edhe Lëvizja Besa të bëhet pjesë e mazhorancës.

“Në qeveri duhet të marrin pjesë të tri partitë shqiptare, Aleanca për Shqiptarët, Lëvizja Besa dhe BDI. Këtë e them se në radhë të parë do të regjistrohet ekzekutivi shqiptar tashmë”, u shpreh Ramadani.

Nga ana tjetër Agon Ferati nga LR-PDSH mendon se qëllimi i disa partive janë pëfitimet nga politika ditore.

“Ka indikacione që disa nga partitë të bëjnë politikë ditore dhe synimin e kanë deri të zgjedhjet e ardhshme lokale, më pastaj ndoshta do të tentojnë të futen edhe nga dera e vogël në qeveri”, tha Ferati.

Albert Musliu thotë se bashkëqeverisja në mes të gjitha partive shqiptare duhet të jetë si predispozitë kryesore për suksesin në zgjedhjet lokale.

“Bashkëqeverisja duhet të përdoret si element koheziv dhe bashkëpunues për zgjedhjet lokale. Nëse asgjë tjetër, së paku të ndërrohet vokabulari i zgjedhjeve lokale”, u shpreh Musliu.

Panelistët në debatin e mbrëmshëm në Klik Plus, pajtohen në një gjë se partitë shqiptare kësaj radhe duhet të qëndrojnë së bashku përballë politikave të VMRO-DPMNE-së të e cila po mundohet që të destabilizojë vendin./21Media

Back to top button