“Shpirti i bardhë i Arianit u nda nga ne në bardhësinë e borës”
Në kujtim të zëvendësministrit
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e ka vlerësuar si një njeri me shpirt të bardhë, zëvendësministrin e Diasporës, Arian Dacin.
“Secilin fjalim të rastit e mbizotëron pikëllimi dhe lotët. Shpirti i bardhë i Arianit u nda nga ne në bardhësinë e borës”, ka thënë Haradinaj.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, tha se lajmi për ndarjen e tij nga jeta, është tronditës.
“Ky është pa dyshim fjalimi më i rëndë në jetën time. Unë ende nuk po mund të besoj, ne që jemi shoqëruar me Arianin e ndajmë me familjen pikëllimin. Ai ka qenë dora e djathtë e ministrisë, por me të ke mund të qash edhe hallin për çështje private”, ka thënë ai.
Ndërsa, Edmond Ademi, ministër i Diasporës në Maqedoni, u shpreh se është vështirë të gjej fjalët e duhura në këso raste.
“Kjo mbledhje në të cilën e përshëndetemi për herë të fundit me Arianin… largimi i tij nga kjo jetë është humbja e madhe, por kujtimi për të është i përhershëm”, ka shtuar ai.
Arianit Jakupi, nga Oda e Farmacistëve, tha se është i tronditur nga lajmi, sepse për të Ariani ishte njeri që i ofronte të gjithë.
“Më shumë se aq jam shok i tij, nuk e kam pasur vetëm koleg, por kemi ndarë edhe momente me të që nga gjimnazi. E kisha mentor edhe të skijimë, nuk hezitonte të më ndalte të më tregonte se si të mbrohemi nga rreziqet, qoftë edhe nga orteku. Ti do të mbetesh përherë në mendjen tonë. Familja pastë forcë”, ka thënë ai.
Në mbledhjen komemorative të mbajtur për nderë të tij, të organizuar nga kryeministria, ka folur edhe motra e të ndjerit, Edi Daci -Prapashtica.
“Me lejoni që në emër të familjes dhe të vëllait tim të ju falënderohem për prezencën tuaj”, u shpreh ajo me lot në sy.
Nga ora 13:00 zhvillohet ceremonia e varrimit në varrezat e qytetit të Prishtinës – Lagjja Arbëria.
Zëvendësministri i Diasporës, Arian Daci 40 -vjeçar, humbi jetën të shtunën në qendrën e skijimit në Brezovicë nga një ortek bore./21Media