BQK ndan çmime për esetë më të mira

Në Ditën botërore të kursimeve

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës sot ka ndarë çmime për esetë më të mira rreth kursimit të financave, me moton “Kursimet për një të ardhme më të mirë”. Ky organizim është bërë  në kuadër të Ditës Botërore të Kursimeve që shënohet  çdo vit më 31 tetor.

Në këtë garë kanë marrë pjesë nxënësit e klasave 6-9 të shkollave fillore të Kosovës.

GuvernatorI i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti ka thënë se shënimi i Ditës botërore të kursimeve tashmë është bërë traditë dhe se kjo ditë në vendin tonë shënohet me aktivitete të ndryshme, të cilat kanë për qëllim  kultivimin e shprehisë së kursimeve.

“BQK, në kuadër të programeve të veta financiare, ka organizuar një garë me klasë nga e gjashta  deri te e nënta, për konkursin i cili ka pasur si temë trajtimi financat dhe kursimet me moton “Kursimet për një të ardhme më të mirë”. Kemi pasur ese shumë të mira, të cilat na kanë vendosur në situatë shumë të vështirë për ta zgjedhur esenë më të mirë. Për këtë arsye ju përgëzoj për esetë që keni punuar dhe nuk ka humbës në këtë garë – të gjithë jeni fitues”, është shprehur Mehmeti.

Ai ka thënë se shpreson që kjo garë i ka mësuar fëmijët të fitojnë më shumë njohuri rreth financave dhe kursimeve.

Çmimet për esetë më të mira iu ndanë nëntë nxënësve, ku Jon Pacolli ka fituar çmimin e parë, Albiona Barileva ka fituar çmimin e dytë, derisa atë të tretin Etrit Thaçi. Çmimet tjera me radhë i kanë fituar Era Shabani, Lis Ademi, Tuana Aliu, Krenare Shefqeti, Elsa Gosalsi, Benar Sheqiri dhe Daorsa imeri.

Elsa Gosalsi, fituese e çmimit të shtatë është shprehur shumë e lumtur me çmimin e fituar, duke thënë se meritat për këtë nuk i takojnë vetëm asaj, por edhe mësimdhënësve.

Etrit Thaçi, fitues i çmimit të tretë ka thënë se nga kjo eksperiencë ka mësuar që në jetë duhet të kursejnë nëse dëshirojnë të kenë një jetë më të mirë.

Dita Botërore e Kursimit festohet si kujtim i kongresit të parë ndërkombëtar të kursimeve të mbajtur në këtë ditë në vitin 1924 në Milano.

Back to top button