LDK-ja paralajmëron mbledhje të Kryesisë
Mbledhja është thirrur për nesër
Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK), nesër do të mbledhë Kryesinë e partisë.
Kjo parti përmes një komunikate për media ka treguar agjendën e saj duke njoftuar edhe për orën e mbledhjes së kryesisë. Sipas LDK-së mbledhja pritet të fillojë të martën në orën 14:00 në Selinë e LDK-së.
Me rastin e 14-vjetorit të vdekjes së presidentit, Ibrahim Rugova, LDK ka njoftuar se nesër do të bëjnë homazhe te varri i tij dhe do të organizohet një akademi përkujtimore.
“Nesër (e martë), më datë 21 janar 2020, në orën 10:30, me rastin e 14-vjetorit të vdekjes së Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova, anëtarë të Kryesisë bëjnë homazhe te varri i tij. Në orën 10:45 vizitojnë Familjen Rugova. Poashtu, në orën 12:00, në Hotel “Emerald”, Lidhja Demokratike e Kosovës organizon Akademi Përkujtimore”, thuhet në komunikatën e LDK-së.
Sot kreu i VV-së, Albin Kurti, pasi njoftoi se nuk e pranon ofertën e fundit të LDK-së, këtyre të fundit u ka bërë thirrje për takime të tjera në mënyrë që të arrihet një marrëveshje për bashkëqeverisje./21Media