​Protestohet me moton “12 vjet pavarësi, një zgjidhje, IKJEN nga Kosova”

Rinia pati një porosi për kryeministrin

Rinia e Pejës sot pa dallime politike dhe partiake u bashkua rreth problemit shqetësues dhe alarmues që ndodhet rinia në vendit tonë. Ajo me këtë rast pati edhe një porosi për kryeministrin e ri të vendit, Albin Kurti.

Sot në vend të festës, rinia pejane zgjodhi të zhvillojë një aksion simbolik për nder të ditës së pavarësisë, duke ngritur shqetësimin e thellë se tash e 12 vjet partitë politike nuk u brengosën për hallet me të cilat përballet rinia.

Ata me këtë rast kanë vendosur në Pejë diplomat e tyre dhe valixhet në shenjë simbolike për dijen e fituar në arsim, por në pamundësi të vendeve të punës, ata janë të detyruar të përgatisin valixhet për të braktisur vendin.

“Punësimet në bazë të kritereve politike, nepotizmi, pabarazia në punësim dhe vendosja e njerëzve jo-meritor në pozita meritore janë disa nga faktorët që ja kanë humbur shpresën rinisë që të qëndroj në Kosovë. Fëmijët e pushtetarëve tanë shkollohen në kolegje private dhe në luks marramendës, udhëtojnë çdo ditë dhe vizitojnë vende të ndryshme të botës, e që rinia në Kosovë nuk e ka këtë mundësi sepse ne bëjmë jetë të dinjitetshme dhe nuk vjedhim shtetin si ata”, thuhet në komunikatë.

Rinia pejane premtimet për 300 mijë vende pune i quan të rreme, pasi sipas tyre politika vendore ‘për ikjen e rinisë nga Kosova janë kujdesur enkas dhe me plan’.

“Partitë politike që kanë qenë në pushtet e kanë ditur mjaftë mirë rrezikun që vije nga rinia, që në çdo vend kanë bërë revolucione nga pakënaqësitë. Por, sot ja kanë humbur idealin dhe rinia fatkeqësisht nuk e sheh vetën faktor të ndryshimit, e që duhet ta shohim. Çdo shtet që synon të zhvillohet dhe ndërtohet, fokus ka mbajtjen e rinisë “trurit dhe kokës së mençur” brenda vendit, kurse Kosovën çuditërisht nuk e shqetësoj fakti i ikjes masive të rinisë. Të lindur, të rritur, të shkolluar, me të gjitha investimet në ne dhe në fund t’ua japim të gatshme rininë Evropës është vërtet tmerruese”, vazhdon komunikata.

Në fund, rinia pejane përçoi një mesazh për kryeministrin Albin Kurtin, që prioritet ta ketë në këtë qeverisje rininë dhe ndaljen e ikjes së rinisë nga Kosova, duke gjeneruar vende të reja pune dhe punësim të barabartë.

Back to top button