Vlerësohet e brishtë situata ndërmjet partive në veri
Sylejmani th se janë përgatitur 500 formularë për ankesa në alfabetin Brail
Shefi i Misionit të OSBE-së, Ambasadori Jan Braathu ka thënë se situata në mes partive serbe në veri të Kosovës është mjaft e brishtë, të cilat janë shoqëruar me disa incidente në Leposaviq. Braathu u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve politike në vend që të respektojnë të drejtën e votës për secilin person.
Ai këto komente i bëri në vizitën që sot pati në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ku ua dorëzoi formularin e ankesave të alfabetit Brail për personat e verbër.
Shefi i OSBE-së tha se më anë të formularëve për alfabetin e Braillit personat e verbër do të kenë mundësi të kenë qasje të plotë në këtë proces zgjedhor.
Ndërkaq, kryetarja e PZAP, Gyltene Sylejmani tha se janë përgatitur gjithsej 500 formularë për ankesa në alfabetin Brail dhe këta formularë do të iu japin mundësi personave të verbër të raportojnë për çdo shkelje që do të mund të iu bëhet atyre.
Ndërkaq, përfaqësuesi nga shoqata e të verbërve, Bekim Krasniqi ka falënderuar PZAP që kanë marr parasysh kërkesën e tyre dhe këtyre personave iu kanë dhënë mundësi të jenë të barabartë me personat tjerë.
Formularët për ankesa në alfabetin Brail për personat e verbër është i shkruar në gjuhën shqipe, serbe dhe turke./21Media