Mustafa: Për koalicionin u pendua PDK-ja dhe kreu i saj
Mustafa u shpreh se nuk është arritur të përfundohet vetëm çështjen e liberalizimit
Kryeministri i Kosovës në detyrë, Isa Mustafa sot, në ditën e fundit të fushatës zgjedhore është shprehur se nuk është penduar për koalicionin e vitit 2014 me PDK-në, por sipas tij është penduar PDK-ja dhe kreu i saj.
”Gënjejnë ata që hapjen e rrugës për njerëz të rinj për Kryeministër dhe vendimin tim të mos kandidoj për deputet e shpjegojnë si akt moral për shkak të dështimit të koalicionit me PDK-në. Për koalicionin u pendua PDK-ja dhe kryetari i saj e jo unë që respektova marrëveshjen”, ka shkruar Mustafa duke shtuar se gjatë qeverisjes nuk ka arritur ta përfundojë vetëm çështjen e liberalizimit të vizave.
”Qeveria, të cilën e drejtova, arriti suksese të jashtëzakonshme në ekonomi, në punësim, në luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe në integrimet evropiane. Qeveri e pa korruptuar dhe e aftë.
E vetmja çështje që nuk u përfundua është liberalizimi i vizave, për të cilën përgjegjësinë e kanë ata që e kundërshtuan demarkacionin me Malin e Zi. Ata i lanë qytetarët pa liberalizim!”, u shpreh Mustafa.
Sipas tij, me strukturat e partisë janë pajtuar që Avdullah Hoti të jetë kandidat për Kryeministër.
”Për kandidat për Kryeministër, me iniciativën time, është diskutuar një listë më e gjerë, përfshirë nënkryetarët e LDK-së dhe z. Hoti dhe të gjitha strukturat janë pajtuar që kandidat yni në këto zgjedhje të jetë prof. Avdullah Hoti. Personalisht kam vlerësuar se kandidati për Kryeministër duhet ti prij listës së deputetëve, prandaj si Kryetar i LDK-së kam konsideruar të mos garoj për deputet. Opinionet tjera në debate televizive i konsideroj si nënshtrim para njerëzve që janë pjesë e ekipeve të koalicionit tjetër”, ka shkruar më tutje Mustafa./21Media