Erdogani i gatshëm të diskutojë me talebanët për paqen në Afganistan
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, kërkoi nga Shtetet e Bashkuara mbështetje financiare, logjistike dhe diplomatike, në mënyrë që Turqia ta sigurojë dhe udhëheqë Aeroportin e Kabulit, pasi trupat ndërkombëtare ta përfundojnë tërheqjen nga Afganistani.
Erdogan tha se Turqia mund ta kryejë misionin – pavarësisht paralajmërimeve të militantëve talibanë – për aq kohë sa Uashingtoni siguron mbështetje.
“Nëse këto kushte plotësohen, ne jemi duke menduar ta marrim përsipër menaxhimin e Aeroportit të Kabulit”, tha Erdogan.
Presidenti ndodhet në Qipron turke me rastin e 47-vjetorit të operacionit turk “Paqe në Qipro”.
Tërheqja zyrtare e trupave të huaja nga Afganistani ka nisur më 1 maj dhe pritet të përfundojë deri më 31 gusht.
Turqia mban qindra trupa në Afganistan, por militantët talibanë e kanë paralajmëruar Ankaranë kundër ofertës së saj.
Erdogan tha të martën se çështja “do të diskutohet edhe me talibanët”.