Kurti: Jemi të gatshëm për bisedime, për eskalim të situatës i interesuar vetëm Vuçiqi
Nën drejtimin e kryeministrit Albin Kurti, Qeveria e Republikës së Kosovës ka filluar mbledhjen e saj.
Kurti ka njoftuar se rrugët afër pikës kufitare në Jarinjë janë bllokuar me kamionë dhe automjete të cilat janë pronë komunale.
Kryeministri ka ftuar kryetarët të tërheqin nga rruga automjetet komunale dhe qytetarët serbë të largohen nga rrugët, pasi siç është shprehur, ata kanë bllokuar vetveten.
“Vendimet janë për të gjithë, pa diskriminuar. Për incidente dhe eskalim nuk kanë interes qytetarët e as shteti i Kosovës, as serbët në Kosovë, e as Serbia, duket se vetëm një individ ka interes- presidenti i Serbisë”, ka thënë kryeministri.
Tutje, ai ka theksuar se Kosova është e gatshme për bisedime, shkruan rtv21.tv
“Ne jemi të gatshëm për bisedime. Ja kemi konfirmuar Brukselit, Borrelit dhe Lajçakut”, ka theksuar ai.
“Le t’i heqim tabelat e përkohshme dhe qytetarët të qarkullojë sa ma shumë e sa më pak vonesa”, ka shtuar kryeministri.
Ai ka thënë se nuk është në interesin e Serbisë të refuzojë dialogun.
“Brukseli është vendi ku duhet të zhvillohen takimet dhe bisedimet, ne jemi të hapur gjithmonë se është interesi i qytetarëve për një gjë të tillë”, ka përfunduar Kurti./21Media