Një shqiptar në krye të projektit që do të transformojë politikat madhore të SHBA-së

Ish-bosi i kompanisë Google Eric Schmidt e ka zgjedhur shqiptarin Ylli Bajraktari në krye të Projektit Special të Studimeve Speciale (SCSO) që do të rekomandojë strategjitë dhe politikat vendimtare afatgjata të SHBA-ve.
Këtë e ka bërë të ditur gazetari shqiptaro-amerikan Ruben Avxhiu përmes një shkrimi të publikuar në gazetën online Illyria.
“Për të drejtuar këtë nismë vizionare, ish-bosi i Google-t ka zgjedhur ekspertin shqiptaro-amerikan Ylli Bajraktari që ka punuar në dy administratat e presidentëve Barack Obama dhe Donald Trump dhe së fundi ka qenë figurë kryesore në zyrën e Këshilltarit për Sigurinë Kombëtare Gjeneralit H. R. McMaster. Historia e tij dhe e vëllait të tij, Ylber Bajraktari, si emigrantë lufte që u ngjitën në shkallët e larta të administratës amerikane është bërë e njohur në shumë gazeta të vendit”.
Avxhiu deklaron se ish-shefi i kompanisë Google e ka imituar projektin e mendimit politik të kohës së Luftës së Ftohtë përshtatur sipas sfidave të sotme dhe e ka zgjedhur Ylli Bajraktarin “si Henry Kissinger i kohës sonë”.
Ai thotë se asnjë shqiptar i Amerikës nuk ka qenë ndonjëherë në një pozitë kaq kyçe dhe të rëndësishme në histori.
“Ne krenohemi me figura si Ferid Muradi, Wilson Kokalari etj, por në sferën e shërbimit publik, sidomos në një fushë që mund të përcaktojë të ardhmen e kombit amerikan, nuk ka pasur ndonjë figurë kaq të madhe shqiptare. Pa dyshim jo në një moshë kaq të re dhe jo kaq të lidhur me rrënjët shqiptare e produkt i historisë sonë kombëtare të kohëve të fundit. Duke pasur parasysh rëndësinë e madhe të politikës së jashtme amerikane për fatin e kombit tonë, kjo pozitë e fuqishme e Ylli Bajraktarit merr edhe më shumë rëndësi. Ky sukses kaq i shpejtë në sferat më të larta të vendimeve madhore amerikane të bën vërtet të mendosh se ky i ri shqiptaro-amerikan do të lërë gjurmë të rëndësishme në histori”.

Back to top button