MINT vendos masa mbrojtëse ndaj dy produkteve të Serbisë, paralajmërohet reciprociteti
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari bëri të ditur se kjo ministri ka marrë dy vendime për masa mbrojtëse antidampning për produktet të caktuara nga Serbia.
Vendimi i parë ka të bëjë për ri-kthimin e masave mbrojtëse antidamping për bllokat e argjilës nga Serbia, si dhe masat për koncentratin e kafshëve që importohet po ashtu nga Serbia.
Derisa ministrja Hajdari në konferencën për media foli edhe për mundësinë e reciprocitetit të plotë me Serbinë.
”Njëri vendim cakton masën antidamping në lartësi prej 3 euro cent për kilogram në importin e koncentratit të kafshëve dhe shpezëve nga Serbia. Dhe vendimi tjetër cakton masë antidamping prej 3 euro cent për njësitë e bllokut ndërtimor standard 19/19X25 me origjinë nga Serbia. Të dy vendimet janë marrë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me ligjin për atidampng dhe masat kundër balancuese, si dhe detyrimet tona ndërkombëtare”, ka thënë ajo.
Ministrja Hajdari ka shtuar tutje se kompanitë nga Serbia, kanë dëmtuar prodhuesit vendor duke shitur këto produkte me çmim më të ulët në Kosovë se sa në Serbi.
”Vendimeve u kanë paraprirë hetimet e ndara dhe analizat e mirëfillta të Departamentit të Tregtisë në ministrinë tonë, i cili ka vepruar sipas kërkesave përkatëse të prodhuesve vendor…Hetimet janë zhvilluar në përputhje të plotë me ligjin dhe standardet ndërkombëtare dhe kanë konfirmuar se produktet në fjalë shiten me çmim më të ulët në tregun e Republikës së Kosovës se sa në tregun e brendshëm të Serbisë si vend i origjinës. Departamenti i Tregtisë ka gjetur se çmimi i ulët ka ndikuar në rritjen e importit të bllokave dhe se po ndikon në shtimin e importit të koncentratit. Rrjedhimisht kjo situatë dëmton drejtpërdrejt në vazhdimësi dhe çdoherë më shumë prodhuesit vendor të këtyre produkteve”, ka thënë ajo.
Sa i përket reciprocitetit të plotë, ministrja Hajdari, tha se ndjeshmëria e reciprocitetit të plotë, nuk i mundëson të shpalosin hollësitë dhe veprimet për këtë.
Ajo shtoi se ministria po vijon bashkërendimin që përpos dokumentimit të barrierave tregtare të Serbisë të sigurohen në ngritjen e kapaciteteve institucionale, sepse janë edhe shume institucione tjera, sikur që ka përmendur kryeministri doganën, agjencinë e ushqimit dhe të tjera.
Kryeministri Kurti ditë më parë në Tiranë, ka thënë se me Serbinë duhet të vendosin reciprocitet, siç është shprehur ai nuk bën ndryshe.