Shokut tim për nënën
Azem Shkreli është poet publicist shumë i njohur, i cili ka lindur në vitin 1938-të, në Pejë. Shkreli zë vend në krye të poezisë moderne shqiptare. Krahas cilësisë, poezia e Shkrelit, shënoi kthesë në rrjedhat e poezisë në Kosovë: e zgjeroi spektrin tematik, e subjektivizoi dhe intimizoi heroin lirik, dhe çka është më me peshë, solli një ndjesi të re, të mprehtë, ndaj gjuhës, ndaj fjalës. Kështu, ajo i hapi rrugë bindshëm poezisë së viteve pesëdhjetë, të ngarkuar me patosin e euforisë kolektive.
Shkollën fillore Shkreli e kreu në vendlindje, ndërsa në Prishtinë ai vazhdoi shkollën e mesme për të vazhduar Fakultetin Filozofik, degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Për shumë vjet, ai ka qenë kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit Krahinor në Prishtinë, dhe themelues e drejtor i Kosova Filmit.
Disa nga veprat e tij më të njohura janë: Bulzat (1960), Ëngjujt e rrugëve (1963), E di një fjalë prej guri (1969), Nga bibla e heshtjes (1975), Pagëzimi i fjalës (1981), Nata e papagajve (1990), Lirikë me shi (1994), Zogj dhe gurë (1997). Në prozë: Karvani i bardhë (1961), Sytë e Evës (1975), Muri përfundi shqipeve, Shtatë nga ata, si dhe dramat: Fosilet (1968), Varri i qyqës (1983) etj.
Shkreli vdiq në pranverën e vitit 1997./21Media
Poezi nga Azem Shkreli
SHOKUT TIM PER NENEN
Ato lahen në gazin
tonë e në lotët e tyre.
Bëhen rojë murane
te krojet e shtera të gjirit.
Në ballin tonë për herë
u bëjnë dritë shejt gishtat.
Ditët na i prarojnë dhe rrugët
me nga një bekim më t’mirin.
Me rrëmetën e krrusur t’moteve
na ruajnë nga hijet e liga.
Një ditë shkojnë si të shkonin,
të mos vijë më vdekja.
E s’na kërkojnë asgjë,
pos një grusht dhe mbi krye.
Shkojmë. E sa herë vdes nënë,
vdes nënëmira ime.