Nga sot mund të vaksinoheni pa termine
Nga sot, të gjithë qytetarët e Kosovës mund të vaksinohen në cilëndo qendër të vaksinimit, pa termin të caktuar paraprakisht.
Qytetarët mund të vaksinohen në secilën qendër të vaksinimit kudo në Kosovë, pavarësisht se cilës komunë i takojnë me vendbanim.
Ministria e Shëndetësisë vlerësoi se tashmë një numër i konsideruar i qytetarëve të grup-moshave të ndryshme janë vaksinuar kundër COVID-19 dhe kjo e bën edhe më të lehtë menaxhimin e procesit të vaksinimit në çdo qendër, ku përmes ekipeve të vaksinimit në dispozicion, ka kapacitete për t’iu përgjigjur të gjitha kërkesave të qytetarëve për vaksinim.
Gjithashtu, MSH rikujtoi se këtyre ditëve është duke u bërë vaksinimi edhe përmes ekipeve mobile, për çka gjithashtu nuk duhet caktuar termin paraprakisht.
MSH u bëri thirrje qytetarëve që ta kompletojnë procesin e vaksinimit duke i marrë të dy dozat e vaksinës kundër COVID-19.
Në Kosovë vaksinimi kundër COVID-19 është i lejuar për të gjithë qytetarët nga mosha 12 vjeçe e lartë./21Media