Tahiri: Kuvendi është i bllokuar tash e disa muaj

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se Kuvendi i Kosovës është i bllokuar tash e sa muaj edhe pse shumica parlamentare ka mbi 50 përqind.
Ai ka thënë se ka shumë ligje të rëndësishme që presin të trajtohen e që për shkak të mungesës së kuorumit nuk po arrihet të procedohet tutje.
“Në historinë e jetës parlamentare nuk mbahet mend që një shumicë të ketë mbi 50 përqind, ndërsa këto mbledhje të kryesisë dështojnë. Ligji për pagat në sektorin publik, ligj i cili është në agjendë është shumë i rëndësishëm që trajton pagën në një situatë kur janë rritur çmimet”, ka thënë ai.
Tahiri ka theksuar se nga mosmbajtja e seancave janë grumbulluar afër 40 pika të rendit të ditës, e që ka thënë se për trajtimin e tyre duhen të paktën 4 ditë.
“Kuvendi është i bllokuar tash e disa muaj. Nëse shohim rendin e ditës, shohim që ne kemi mbi 30 pika, kur të nisim seancën të paktën katër ditë duhet të punojmë. Do të kemi një seancë maratonike”, ka theksuar deputeti.

Back to top button