KMDLNj: SBAShK-u mos të shantazhojë e të kërcënojë me protesta
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj)ka kërkuar nga Sindikata e Bashkuara e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (SBASHK) të mos kërcënojë me protesta.
KMDLNJ thekson se e mbron të drejtat e SBASHK-ut që edhe të organizojë protesta, por jo duke e shndërruar në mjet shantazhi dhe kërcënimi të vazhdueshëm, siç po vepron edhe tani.
“SBASHK-u , sikur edhe të tjerët duhet të kenë të qartë se pandemia e shkaktuar nga COVID-19 jashtëzakonisht shumë i ka dëmtuar proceset arsimore duke bërë dëme të pariparueshme prandaj as SBASHK-u apo kushdoqoftë tjetër nuk mund t’i lejojë vetes të drejtën që këtë situatë të rëndë ta keqpërdorë për përfitime personale. Kushtëzimi se , ose do të përfshihet Ligji i Pagave për punëtorët e arsimit në Buxhetin e Kosovës për vitin 2022 është shantazhim klasik dhe i palejueshëm, sigurisht edhe i papranueshëm. SBASHK-ut asnjë qeveri nuk po i bie taman dhe në vend që ta përdorë si mjet të realizimit të qëllimit dialogun dhe të arrijë një Marrëeshje të përshkallëzuar (zbatimi sipas mundësive buxhetore), po luan me kartën tutti per tutti ( krejt ose asgjë) që , përveç se është e pamoralshme, nuk është e zbatueshme, mësimnxënien, nxënësit dhe prindërit e tyre po i sjell buzë falimentimit. Pavarësisht kohëzgjatjes së protestës, edhe SBASHK-u sikur edhe punëtorët e arsimit në të gjitha nivelet marrin paga të rregullta kurse nxënësit mbesin në shtëpi duke humbur kohë dhe orë të mësimit. Në luftën e shpallur që SBASHK-u ua ka bërë të gjitha qeverive e kanë pësuar vetëm nxënësit dhe prindërit e tyre”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.
Sipas tyre, në kundërshtim të çdo propozimi institucional është edhe kërcënimi i kryetarit të SBASHK-ut se “sa të jem unë në krye të SBASHK-ut nuk do të lejoj që të bëhet testimi që e matë performancën e punëtorëve të arsimit…”. KMDLNj lidhur me këtë ka reaguar “nëse është kështu, pse atëherë vlerësohen dhe notohen nxënësit dhe studentët në Kosovë?!”
KMDLNj i bën thirrje SBASHK-ut që të ulë “armët e luftës” – kërcënimin dhe shantazhin dhe t’i kthehet dialogut me qeverinë në mënyrë që të arrijë një marrëveshje të zbatueshme dhe të mos kërkojë një zgjidhje të pazbatueshme!
“SBASHK-u mjaftueshëm e ka dëmtuar deri më tani procesin mësimor duke ua shkelur nxënësve të drejtat elementare të njeriut për një arsim normal prandaj duhet të mbledhë mend. Këshilli i Prindërve duhet të kundërshtojë këto kërcënime dhe shantazhe të SBASHK-ut duke i dërguar fëmijët në shkollë edhe në rast se SBASHK-u fillon ndonjë grevë apo protestë. Të gjithë duhet ta kuptojmë se pandemia ka kthyer shumë procese prapa dhe se nuk mund të insistohet në rritje të menjëhershme të pagave pa një rimëkëmbje ekonomike. Përfundimisht SBASHK-u duhet të sillet si pjesë aktive dhe konstruktive e shoqërishë kosovare duke kontribuar në tejkalimine situatës, edhe ashtu shumë të rënduar!”, thuhet në reagim.
Më 4 dhjetor, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka paralajmëruar se do të organizojë një protestë për të shprehur pakënaqësinë për mos miratimin e ligjit të pagave. Sipas tyre nëse edhe pas kësaj proteste nuk do të ketë reflektim nga ana e Qeverisë së Kosovës atëherë do të ketë përshkallëzim të veprimeve sindikale nga ana e SBASHK-ut./21Media