Publikohet lista e shteteve të ftuara në Samitin për Demokraci

Kosova e Shqipëria janë mes 110 vendeve të ftuara nga Shtëpia e Bardhë në samitin virtual për demokracinë, të mbështetur fuqishëm nga presidenti amerikan Joe Biden.
Nga vendet e Ballkanit Perëndimor vetëm Bosnja dhe Hercegovina nuk ka marrë një ftesë për këtë Samit.
Nga ana tjetër, lista nuk përfshin Kinën, e akuzuar vazhdimisht nga administrata Biden për shkelje të të drejtave të njeriut në rajonin Xinjang, Tibet dhe Hong Kong.
Mbledhja online është një ngjarje që Biden premtoi ta zhvillojë, ndërsa kandidoi për presidencë vitin e kaluar, me synimin për të bashkuar vendet me të njëjtin mendim rreth përpjekjeve për të luftuar korrupsionin dhe autoritarizmin dhe për të promovuar të drejtat e njeriut.
Në fillim të nëntorit, mediumi prestigjioz amerikan “Politico” publikoi listën e 100 shteteve pjesëmarrëse në këtë samit. Aty nuk figuronte Kosova. Ambasada e Amerikës në Kosovë pati thënë se “s’mund t’i akomodojë të gjithë partnerët”. Mosftesa pati zgjuar shumë reagime në vend, deri kur më vonë u konfirmua se Kosova është ftuar nga presidenti Biden.

Back to top button