Reagon Gjykata, dërgohet në burg 37-vjeçari që u paraqit rrejshëm si hoxhë dhe dhunoi 9-vjeçaren
Pas Prokurorisë Publike Themelore, për rastin ku një person ishte paraqitur rrejshëm si hoxhë duke mashtruar njerëz, pas çfarë kishte dhunuar edhe një 9-vjeçare nga Gostivari, është prononcuar edhe Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut.
Nga MPB thonë se më 06.12.2021 rreth orës 15.10 në rrugën “Borçe Jovakovski” në Gostivar, policët e Sektorit të Punëve të Brendshme në Tetovë – Departamenti i punëve të brendshme Gostivar kanë arrestuar E.I.(32) dhe S.A.(24), që të dy nga Gostivari, për shkak të ekzistimit të dyshimit se bashkë me R.Ll.(37) nga Koçani kanë kryer “mashtrim”.
“Pas dokumentimit të rastit kundër dy personave është përgatitur parashtresë. Në lidhje me tashmë të arrestuarin, R.Ll., i cili është mbajtur në Stacion Policor në Gostivar, të njëjtën ditë, në ora 14:25, 29-vjeçarja nga Gostivari ka denoncuar se më datë 23/24.11.2021, i njëjti ka kryer akt seksual ndaj bijës së saj të mitur. Me parashtresë përkatëse për “mashtrim” dhe “dhunim të fëmijës”, R.Ll. është nxjerrë para gjykatësit të procedurë paraprake në Gjykatën Themelore në Gostivar, i cili i ka caktuar masën e paraburgimit 30-ditor, pas çfarë sot, 07.12.2021 është dërguar në Burgun e Shkupit për mbajtjen e paraburgimit”, qëndron mes tjerash në njoftimin e MPB-së, transmeton TV21.
Kjo vjen pasi paraprakisht Prokuroria Publike Themelore njoftoi se tashmë është ngritur procedurë hetuese kundër tre personave, njëri nga Koçani që ishte paraqitur si hoxhë i rrejshëm dhe dy bashkëpunëtorë të tij nga Gostivari. Hoxha ishte paraqitur rrejshëm për të shëruar njerëzit nga magjitë, ndërkaq përveç se ka përdhunuar një 9-vjeçare nga Gostivari, ka mashtruar edhe një grua tjetër, duke i marrë rreth 100 mijë denarë për të blerë gjësende nga varrezat, me preteksin se të njëjtat i largojnë magjitë nga shtëpia e saj./21Media