Pagëzojnë djalin me emrin “Kufi”
Një grua e bllokuar në kufirin Attari-Wagah të Indisë dhe Pakistanit për më shumë se dy muaj e ka quajtur të porsalindurin e saj “Border” në shqip “Kufi” për të shënuar luftën e familjes së saj për të kaluar kufirin për shkak të problemeve me dokumentet e tyre.
Nimbu Bai dhe burri i saj Bala Ram nga Pakistani, janë ndër qindra udhëtarët që kishin mbërritur në Indi vitin e kaluar përpara se të zbatoheshin kufizimet e pandemisë Covid-19 .
Çifti kishte udhëtuar për pelegrinazh në Haridwar të Indisë veriore, i cili ndodhet afër lumit Gange dhe në shtetin perëndimor të Rajasthan.
Ndonëse udhëtimi është rreptësisht i kufizuar midis Indisë dhe Pakistanit dhe ata nuk ndajnë pothuajse asnjë fluturim direkt, fqinjët e Azisë Jugore lejojnë qytetarët e tyre të kalojnë kufirin për pelegrinazhe fetare, transmeton rtv21.tv.
Shumë udhëtarë kishin ngecur në Indi pasi u vendosën kufizime për të parandaluar përhapjen e Covid-19 në muajin mars të vitit 2020, kur India hyri në bllokimin më të madh të vetëm në botë.
Që nga shtatori i këtij viti, rreth 100 hindu nga Pakistani, duke përfshirë këtë çift, kanë kampuar në kufirin e Attarit në përpjekjen e tyre për t’u kthyer në shtëpi.
Për të udhëtuar nga India në Pakistan, atyre iu kërkua të paraqisnin dokumente të tilla si një raport i ri i testit Covid-19 dhe një letër daljeje që nevojitet pasi vizat e tyre kanë skaduar. Këto dokumente udhëtimi mbërritën të hënën, pas së cilës shumica e 100 personave që kishin kampuar në kufi kaluan në Pakistan.
Por pritja e Nimbu Bai dhe familjes së saj është bërë më e gjatë pasi ata tani kanë nevojë për dokumentet e lindjes dhe pasaportën e kufirit nga India, pa të cilat zyrtarët pakistanezë nuk do t’i lejojnë ata të hyjnë në vend.
“Kufiri” ka lindur javën e kaluar më 2 dhjetor. “Emri i djalit tim është Kufi. Ne i dhamë këtë emër sepse ai lindi përgjatë kufirit”, tha gruaja.
“Gjithmonë do të na kujtojë vështirësitë tona në kufirin ndërkombëtar të Attarit, veçanërisht kalimin e netëve të ftohta në natyrë”, tha babai i fëmijës.
Çifti kanë katër fëmijë të tjerë. Fëmija i tyre i katërt, një vajzë, lindi në Jodhpur dhe u emërua “Bharti” si referencë për Bharat, emri Hindi për Indinë. Ata shtuan se shpresonin që këta emra t’u kujtonin fëmijëve të tyre lidhjen e tyre indiane.
Ram tha se ai i ka bërë thirrje qeverisë indiane për të lehtësuar udhëtimin e tyre në shtëpi, por të gjitha përpjekjet kanë qenë të pasuksesshme.
Oficeri i protokollit të Policisë së Punjabit, Arun Pal, tha “Të hënën, të gjithë hindutë e tjerë pakistanezë kaluan në Pakistan përmes kufirit Ëagah, përveç të porsalindurit dhe familjes së tij. Zyrtarët pakistanezë kanë refuzuar të pranojnë foshnjën pa dokumentet e nevojshme”./21Media
