Latifi: Të jemi gati për secilin skenar rreth situatës epidemiologjike

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka thënë MSh dhe SHSKUK do të vazhdojnë të forcojnë kapacitetet me qëllim që shërbimet të jenë të mobilizuara për çfarëdo skenari të mundshëm të zhvillimit të situatës epidemiologjike, pasi që situata megjithatë mbetet e brishtë, për shkak të pranisë së variantit Delta dhe Delta plus dhe rreziqeve edhe nga variant Omicron.
“Duhet të jemi gati për secilin skenar, me kapacitete njerëzore të përgatitur e të motivuar, shtretër të mjaftueshëm spitalor në dispozicion, me terapi dhe protokolet e fundit klinike të bazuara në të dhënat shkencore në dispozicion”, ka thënë Latifi të shtunën në mëngjes në Klinikën Infektive të QKUK-së, ku me drejtuesit e klinikës dhe personelin aty ka bashkëbiseduar për sfidat dhe trajtimin e pacientëve në këtë klinikë.
Nëpërmjet një komunikate për medie nga MSh kanë thënë se Latifi ka inkurajuar personelin mjekësor që të vazhdojnë të ofrojnë shërbimet në bazë të të dhënave të fundit shkencore për të gjithë qytetarët që trajtohen aty.
Në këtë takim, Ministri ka inkurajuar personelin shëndetësor që të vaksinohen me dozën përforcuese, duke qenë se janë vija e parë e frontit në betejën me COVID-19 dhe, gjithashtu, popullata u beson profesionistëve shëndetësor dhe se popullata ndjek shembullin e tyre.
Latifi, pas vizitën në Klinikën Infektive, ka vijuar me vizitën në Prizren, Gjakovë dhe Klinë, për të parë sfidat në procesin e vaksinimit kundër COVID-19 dhe për të motivuar një vaksinim më dinamik të qytetarëvë në ato komuna./21Media

Back to top button