Kaloni te përmbajtja kryesore

Protesta në Shkup, kërkohet rritje e pagës minimale dhe regres për të gjithë punëtorët

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) sot doli në protestë para Kuvendit dhe para Odës ekonomike të Maqedonisë së Veriut në shprehje të pakënaqësisë nga mosvotimi i zgjidhjes ligjore, me të cilën e diela shpallet ditë jopune dhe me kërkesë që rroga minimale të jetë 60% e rrogës mesatare, e me atë edhe rritje spirale të të gjitha rrogave të tjera në pajtim me marrëveshjet kolektive.
LSM kërkon nga deputetët t’i miratojnë ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për marrëdhënie pune me tëcilat e diela shpallet ditë pushimi e javës, ndryshim dhe plotësim të Ligjit për rrogën minimale, nënshkrimin e Marrëveshjes së përgjithshme kolektive për sektorin publik dhe Marrëveshjes së përgjithshme kolektive për sektorin privat nga fusha e ekonomisë.
Kryetari i LSM-së, Darko Dimovski u dërgoi porosi deputetëve në Kuvend, se nuk mund për herë të dytë të mos e miratojnë zgjidhjen ligjore për të dielën – ditë jopune.
“92 për qind e punëtorëve sot duhej të pushonin, ndërsa 8 për qind të tjerë të marrin minimum mëditje të rritur prej 50 për qind, Prandaj u bëjmë thirrje menjëherë të hyjnë në ulëset e deputetëve dhe ta votojnë këtë zgjidhje ligjore nga e cila ne punëtorët do të kemi dobi të madhe”, porositi Dimovski.
Ai i përkujtoi edhe kërkesat për rritje të rrogës minimale, për shkak të goditjeve nga çmimet e produkteve ushqimore, Dimovski theksoi se rroga mesatare duhet të jetë 60 për qind e rrogës mesatare, përkatësisht 18.000 denarë.
“Gjithashtu, nevojitet edhe rrogat e tjera të rriten sepse u rritën shpenzimet për jetë dhe prandaj është i domosdoshëm zbatimi i Marrëveshjeve kolektive për sektor apo degë, me qëllim që të mos vijë deri te rrafshimi i rrogave”, theksoi kryetari i LSM-së dhe shtoi se nga 30.000 punëtorë me rrogë minimale, numri tani ka arritur në 110.000 dhe kërkoi pagesë të regresit për të gjithë punëtorët.
Përderisa punonjësit sindikal e vazhduan protestën drejt Organizatës së punëdhënësve të Maqedonisë dhe odës ekonomike të Maqedonisë, kryetari i LSM-së u prit në Kuvend.
Pas takimit me deputetët, të cilët ishin të pranishëm në shtëpinë ligjvënëse, Dimovski kumtoi se morën premtim se e diela – ditë jopune do të votohet javën e ardhshme dhe zgjidhja ligjore për të gjithë punëtorët të cilët do të pushojnë apo do të punojnë të dielën do të fillojë të vlejë nga 1 janari.
“Kemi garanca, kemi zgjidhje, do të ulemi dhe do të bisedojmë me qëllim që të miratohet edhe zgjidhja ligjore për rritje të rrogës minimale, së paku deri në janar 2022”, shtoi ai.
Sindikalistët më pas u nisën drejt Qeverisë, ku duhet ta parashtrojnë kërkesën për pagesë të regresit për të gjithë punëtorët, shkruan TV21./21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button