Kurti: Kemi arritur të stabilizojmë furnizimin dhe reduktimet pothuajse janë hequr

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot deklaroi se edhe Kosova është në krizë energjetike dhe se çmimet e larta të importit janë pasojë e faktorëve të jashtëm, ndërkaq dobësimi i kapaciteteve është pasojë e shkaqeve të brendshme.
“Në këtë situatë nuk ka zgjidhje të mirë: ose reduktime të energjisë, ose shtrenjtim të energjisë? Shumë më herët, Kosova është dashur të mendojë më shumë e më mirë, që të mos përfundojë në këtë gjendje të keqe. Janë dy faktorë të brendshëm që na kanë sjellur në këtë krizë. Mungesa e vizionit për zhvillim socio-ekonomik të Kosovës, me planifikim të sektorit energjetik për furnizim të qëndrueshëm dhe çmime të përballueshme, si për amvisëritë ashtu edhe për industrinë. Së dyti, korrupsioni qeveritar i bërë zakon, e që kulmoi me privatizimin e rrjetit të shpërndarjes dhe furnizimit për vetëm 26 milionë euro.”, shkroi Kurti në Facebook.
Ndër të tjera, Kryeministri u shpreh se me shtimin e likuiditetit dhe subvencionimin e importit “kemi arritur të stabilizojmë furnizimin dhe reduktimet pothuajse janë hequr”.
“Unë dhe ministrja e ekonomisë Artane Rizvanolli jemi në komunikim të rregullt me KEK-un, KOSTT-in dhe ZRrE-në. Me shtimin e likuiditetit dhe subvencionimin e importit kemi arritur të stabilizojmë furnizimin dhe reduktimet pothuajse janë hequr. Po bëjmë krejt çka mundemi. Ju falemnderit për mbështetjen dhe ju lutemi për kursim e racionalizim të shpenzimit me aq sa mundeni.”, shkroi tutje Kurti./21Media

Back to top button