Bashkë me rritjen e rasteve rritet edhe interesimi për vaksinim

Me rritjen e rasteve të COVID-19, qytetarë të shumtë janë drejtuar qendrave të vaksinimit për t’u vaksinuar me dozën e tretë përforcuese anti-covid, madje ata apelojnë që edhe tjerët të vaksinohen.
Mëngjesin e së dielës në qendrën e vaksinimit në Prishtinë, shihet një interesim i konsiderueshëm i qytetarëve për vaksinim.
Murteza Zautaj ka treguar se është vaksinuar me dozën e tretë të vaksinës.
Po ashtu, ai ka shtuar se më përhapjen e valës së tretë të versionit Omicron, vaksinat nuk janë edhe shumë efektive, mirëpo siç thotë ai është një lloj lehtësimi nëse infektohesh.
“Kjo është doza e tretë e vaksinës. Tash është një problem rreth vaksinës, edhe këto teoritë konspirative, kjo vala e fundit e infektimeve i ka bërë qytetarët që në një far forme ta humbin besimin te efekti i vaksinës. Megjithatë për çdo eventualitet, për çdo mbrojtje duhet ta marrin edhe vaksinën e tretë. Tash vala e tretë e fundit në Evropë që është e ashpër ka treguar se vaksinat nuk janë tepër efektive në mbrojtjen e njerëzve, mirëpo megjithatë ofrohet një lloj lehtësimi nëse eventualisht infektohesh”, ka thënë ai.
Edhe qytetari Shyqri Dumani ka potencuar se është vaksinuar me tri dozat e vaksinës, derisa apelon tek qytetarët për vaksinim.
Edhe Fiqrie Stublla-Muqolli, ka thënë se tashmë është vaksinuar me tri doza të vaksinës.
”Po jam vaksinuar me dy doza përpara, kjo është doza përforcuese e treta me rradhe. Jo me gjithë dëshirë e kam për shëndetin tim edhe mendoj mirë jo vetëm për vete por edhe për të gjithë që duhet të vaksinohen. Jo të gjithëve u kisha propozu të vaksinohen sepse kjo është për të mirën e shëndetit tonë. Prandaj ju lutem të vaksinohet çdo kush sepse është për të mirën tonë”, ka thënë Stublla-Muqolli.
Përndryshe, dje është njoftuar se që nga fillimi i vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.713.150 doza të vaksinës.
Deri më sot 795.476 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë dhe deri dje janë dhënë 30.281 doza përforëcuese dhe 2.162 doza të treta të vaksines kundër COVID-19.

Back to top button