Shkencëtarët zbuluan një objekt “drithërues” në Rrugën e Qumështit
Shkencëtarët australianë thonë se kanë zbuluar një objekt të panjohur rrotullues në Rrugën e Qumështit, për të cilin ata pretendojnë se nuk është parë më parë.
Objekti i zbuluar për herë të parë nga një student universiteti, është vërejtur të lëshojë radio-valë për një minutë të plotë çdo 18 minuta, transmeton rtv21.tv.
Studiuesit thonë se diçka që ndizet për një minutë është shumë e pazakontë. Ekipi po punon për të kuptuar më shumë.
Objekti u zbulua për herë të parë nga studenti i Universitetit Curtin, Tyrone O’Doherty në një rajon të periferisë së Australisë Perëndimore të njohur si Murchison Widefield Array, duke përdorur një teleskop dhe një teknikë të re që ai kishte zhvilluar.
Objektet që ndizen dhe fiken në Univers nuk janë të reja për astronomët – ata i quajnë “kalimtare”. Por, një objekt që u ndez për një minutë të plotë ishte “me të vërtetë i çuditshëm”, u citua të thoshte në publikim astrofizikante e ICRAR-Curtin, Dr Gemma Anderson.
ICRAR shtoi se pas kërkimit të të dhënave prej vitesh, ekipi ishte në gjendje të vërtetonte se objekti është rreth 4000 vite dritë larg nga Toka, është tepër i ndritshëm dhe ka një fushë magnetike jashtëzakonisht të fortë./21Media