Pas arrestimit të Molliqajt, reagon PSD: Organet e drejtësisë në shërbim të pushtetit të Kurtit
Partia Socialdemokrate ka reaguar pas arrestimit të kryetarit të kësaj partie, Dardan Molliqaj.
Në reagimin e PSD thuhet se ai u arrestua sot lidhur me incidentit në protestën kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.
Tutje thuhet se “privimi i dhunshëm nga liria i Dardanit përbën abuzim me pushtetin nga ana e të gjithë zinxhirit përgjegjës brenda sistemit të drejtësisë”.
“Ftesat për intervistim, përkatësisht dorëzimi personal i tyre nga ana e Policisë së Kosovës nuk është realizuar në përputhje me Kodin e Procedurës Penale. Privimi i dhunshëm nga liria i Dardanit përbën abuzim me pushtetin nga ana e të gjithë zingjirit përgjegjës brenda sistemit të drejtësisë. Arrestimi i tij është krejtësisht joproporcional dhe në shpërputhje me kushtet ligjore për një veprim të tillë. Ky arrestim ka mund të ngjajë sot në çdo kohë. Ai ka qenë në zyrë dhe nëpër takime të ndryshme në Prishtinë përgjatë këtyre dy ditëve. Mirëpo, arrestimi, pa fletëarrest, u bë në hapësira të një televizioni. Tash, pasi që është arrestuar, po kuptojmë që urdhërarresti i policisë është duke u përpiluar”, thuhet në reagimin e PDS.
Nga PSD kanë shkruar se kjo tregon qartë që organet e drejtësisë janë vënë në shërbim të pushtetit të Kurtit.
“Ju sigurojmë se ne, Partia Socialdemokrate do i mbajmë përgjegjës dhe do ndërmarrim të gjitha veprimet ligjore kundër të gjithë atyre që sonte abuzuan pushtetin e tyre për ta privuar nga liria Dardan Molliqaj. Arrestimi i panevojshëm i sotëm është i motivuar politikisht dhe është sulm i drejtpërdrejtë ndaj veprimeve tona opozitare”, thuhet në reagimin e PSD.
Kreu i PSD-së kishte goditur shuplakë një pjesëtar të Policisë së Kosovës në protestën kundër shtrenjtimit të rrymës. Molliqaj kishte thënë në lidhje me incidentin se përgjegjësia i bie atij, porse ai ishte ofenduar me fjalë nga zyrtarët policorë./21Media