Sa psikologë janë nëpër shkollat e Kosovës?
Vetëm 57 psikologë janë të angazhuar nëpër shkollat e Republikës së Kosovës, këtë e ka konfirmuar Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) për portalin rtv21.tv.
Nga MAShTI bëhet e ditur se numri i psikologëve do rritet varësisht nga kërkesat e Komunave.
‘’Numri i tyre pritet të rritet vazhdimisht varësisht nga kërkesat dhe nevojat e komunave’’, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Arsimit.
Praninë e psikologëve si dukuri pozitive e sheh edhe Trëndelina Krasniqi psikologe në SHFMU ”Ismail Qemali” Prishtinë.
Për portalin rtv21.tv Krasniqi ka treguar se në shkollën ku ajo punon janë 1 mijë e 900 nxënës dhe kërkesat për konsultime janë të barabarta si nga ana e djemve ashtu edhe vajzave.
Sipas Krasniqit, shqetësuese është izolimi social i nxënësve për arsye të ndryshme (probleme socioekonomike) e që si pasojë e kësaj nxënësit kanë krijuar sjellje vetë dëmtuese. Këto raste sipas psikologes hyjnë në pjesën e rasteve ekstreme.
“Çdo rast në vete është specifik dhe ka po të njëjtën peshë të rëndësisë. Por ajo e cila është më shqetësuese dhe të cilën për fat të keq e kam hasur në punën time me nxënësit përgjatë këtyre viteve është izolimi social i nxënësit për arsye të ndryshme (problem socio ekonomik) e që si pasojë e kësaj nxënësit kanë krijuar sjelle vetë dëmtuese dhe konsideroj që këto raste hyjnë në pjesën e rasteve ekstreme. Në ato raste ku nuk ka mjaft përkrahje dhe mbështetje, rastet janë referuar tek profesionistet dhe bashkëpunimi me ta ka qenë gjithmonë frytdhënës”, ka thënë Psikologia në SHFMU ”Ismail Qemali” Prishtinë, Trëndelina Krasniqi.
Konsultimet e nxënësve të klasave të para dhe të dyta me psikologët e shkollave sipas Krasniqit bëhen me rekomandimin e mësimdhënësve. Këto konsultime bëhen për vështirësitë e ndryshme e në veçanti procesi i të adaptuarit në një ambient të ri. Kurse nxënësit e klasave të larta sipas psikologes janë të vetëdijshëm se kur kanë nevojë për psikologët.
‘’Shkolla në të cilën punoj është Shkollë Fillore dhe e Mesme e Ulet dhe në përgjithësi rastet janë nga cikli i lart ku nxënësit janë në fazë te zhvillimit të cilët e dinë dhe janë të vetëdijshëm se kur kanë nevojë për mbështetje apo përkrahje nga ana e profesionisteve, por gjithashtu tek cikli i ulet klasa e parë edh e dytë ka mjaft raste por te cilat zakonisht referohen nga mësuesit për veshtërsitë e ndryshme ne veçanti në adoptim’’.

Krasniqi tutje ka shtuar se fazat e zhvillimit nëpër të cilat kalojnë fëmijët në shkollat fillore janë të natyrave të ndryshme në mësim, sjelle jo të përshtatshme, vështërsi emocionale dhe ngacmimi me bashkëmoshatarët që sipas Krasniqit kjo dukuri negative në shkolla fatkeqësisht është në rritje.
Trëndelina Krasniqi ka folur edhe për plan programin e psikologëve në shkolla për çka ka thënë se ‘’secili nga psikologet në shkolla përshtatet me planin e tij të punës me specifikat e shkollës’’.
Roli i psikologëve në shkolla është shumëdimensional. Ata ndihmojnë në krijimin e shkollave të sigurta dhe ambienteve pozitive, duke ndihmuar kështu në mirëqenien e nxënësve dhe përkrahjen e tyre.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka treguar se në shkollat e Kosovës aktualisht të angazhuar janë edhe rreth 50 pedagogë./21Media