Lavrov: Marrëdhëniet midis Britanisë dhe Rusisë në pikën më të ulët
Është një mëngjes i ngarkuar i diplomacisë – ndërsa Boris Johnson është në Bruksel me Jens Stoltenberg të NATO-s, Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar Liz Truss është në Moskë duke dhënë një konferencë shtypi me homologun rus, Sergei Lavrov.
Lavrov u tha gazetarëve se lëvizja e trupave ruse ka “ngjallur shumë histeri në Perëndim”, transmeton rtv21.tv.
Ai tha se Rusia dëshiron një përgjigje specifike ndaj shqetësimeve të saj të sigurisë, “jo vetëm fjalë”.
“Bisedimet e sotme ndihmuan homologët tanë britanikë të kuptojnë se sa të rëndësishme janë të gjitha këto çështje për Rusinë”, tha Lavrov.
Sergei Lavrov, shefi i Punëve të Jashtme të Rusisë tha se marrëdhëniet midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Rusisë “lënë shumë për të dëshiruar” dhe janë në “pikën më të ulët gjatë viteve të fundit”, thotë ai.
“Ky nuk është faji ynë”, shtoi ai
Sekretarja e Jashtme Liz Truss, në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun rus Sergei Lavrov, tha se “paqja dhe stabiliteti i ardhshëm” i Evropës është në rrezik.
“Ka ende kohë që Rusia t’i japë fund agresionit të saj ndaj Ukrainës dhe të ndjekë rrugën e diplomacisë. Por NATO e ka shumë të qartë se nëse nuk zgjidhet kjo rrugë, do të ketë pasoja të rënda për Rusinë, Ukrainën dhe të gjithë Evropën”, tha ajo./21Media