Operacioni “Kushtrimi”, shkon në 4 numri i të arrestuarve
Tre persona u arrestuan sot në Vlorë, në kuadër të operacionit policor të koduar “KUSHTRIMI”, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Lidhur me rastin, dje u arestua shtetasi A.Rr, 40 vjeç, ndërsa sot, Policia e Shtetit informoi se në flagrancë u arrestuan edhe E. E., 33 vjeç, E. M., 32 vjeç, banues në Vlorë, me detyrë elektricistë pranë OSHEE Vlorë dhe M. Rr., 33 vjeç, banues në Vlorë, me detyrë faturist pranë OSHEE Vlorë, për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”.
“Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi në zonën që ata kishin në monitorim, nuk kanë konstatuar lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike në banesën në përdorim nga shtetasi A. Rr., e cila ishte përshtatur si ambient për kultivimin e bimëve narkotike cannabis sativa në kushte laboratorike.”, informoi Policia.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme./21Media