Kurti priti në takim përshëndetës shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë

Në takimin mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe shefes së Zyrës Ndërlidhëse Greke, ambasadores Chryssoula Aliferi, u diskutua për raportet mes dy vendeve dhe vullnetin e të dyja palëve për thellimin e tyre.
Në takim u diskutua edhe për situatën në rajon dhe dialogun me Serbinë, nën hijen e agresionit ushtarak të Federatës Ruse në Ukrainë, i cili paraqet rrezik edhe për rajonin tonë, duke pasur parasysh ndikimin malinj të Federatës Ruse nëpërmjet partneritetit të tyre me Serbinë.
Aliferi shprehu vlerësimin e palës greke për rreshtimin e menjëhershëm të Kosovës me vendet e tjera demokratike, në mbështetje të pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe për gatishmërinë për të ndihmuar refugjatët ukrainas.
Kurti falënderoi ambasadoren për angazhimin e saj për përparimin e raporteve mes Kosovës dhe Greqisë, përgjatë mandatit të saj si shefe e Zyrës Ndërlidhëse, dhe i uroi sukses në detyrat e radhës./21Media

Back to top button