U nënshkrua marrëveshja për përmirësimin e eficiencës në 47 ndërtesa publike në Prishtinë
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka pritur sot në takim një delegacion të lartë të Bankës Evropiane për Rikonstruktim dhe Zhvillim (BERZH), kryesuar nga presidentja Odile Renaud Basso, me ç’rast u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi për përmirësimin e eficiencës në 47 ndërtesa publike në kryeqytet.
Rama me këtë rast tha se në 47 ndërtesat për përmirësimin e eficiencës përfshihen shkolla, çerdhe, qendra familjare.
Gjithashtu Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ofroi kredi të butë në shumën prej 5 milionë euro, të komplementuar nga një grant investimi në shumën prej 1 milion, për të asistuar në implementimin e projektit ”Korniza e Qyteteve të Gjelbra – Efiçienca e Energjisë në Ndërtesa Publike në Prishtinë”, dhe njëkohësisht të mobilizojë një grant teknik me një shumë prej 315.000 euro për implementimin e elementeve të caktuara të projektit.
”Sot, me BERZh institucionalizuam bashkëpunimin nëpërmjet nënshkrimit të Marrëveshjes së Kredisë për implementimin e këtij projekti, i cili ka për qëllim investimin në masat për efiçiencën e energjisë në ndërtesat publike (kopshte, shkolla dhe qendra të kujdesit shëndetësor primar) duke përmirësuar dhe ndërruar sistemet e ngrohjes, izolimin termik të ndërtesave dhe instalimin e dyerve dhe dritareve më efiçiente”, ka shkruar Rama në ”Facebook”./21Media