Liderët urojnë Macron-in: Franca është një nga aleatët më të rëndësishëm

Fitorja e Emmanuel Macron-it u mirëprit nga liderët botëror, të cilët kishin frikë nga një kandidate e ekstremit të djathtë që ofronte një sërë politikash anti Bashkimit Evropian.
Kancelari gjerman Olaf Scholz ishte i pari që e uroi Macron-in, duke veçuar sfidën e tyre të përbashkët në përgjigjen ndaj luftës së Rusisë kundër Ukrainës, përcjell rtv21.tv
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden tha gjithashtu se ai priste me padurim për bashkëpunim të ngushtë, duke përfshirë mbështetjen e Ukrainës.
Ndërsa Macron ka luajtur një rol kyç diplomatik në luftë, Marine Le Pen ka luftuar për të hequr qafe akuzat për lidhje me Kremlinin.
Presidenti i Ukrainës, Volodymr Zelensky e uroi Macron-in si një mik të vërtetë dhe tha se pret një Evropë të fortë dhe të bashkuar.
Kryeministri britanik Boris Johnson gjithashtu përshëndeti fitoren e tij.
“Franca është një nga aleatët tanë më të afërt dhe më të rëndësishëm. Mezi pres të vazhdojmë të punojmë së bashku për çështjet që kanë më shumë rëndësi për dy vendet tona dhe për botën”, shkroi Johnson në Twitter.
Po ashtu edhe kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau uroi Macron-in përmes një shkrimi në Twitter, ku tha se mezi pret të vazhdojnë punën për çështjet që kanë më shumë rëndësi për njerëzit në Kanada dhe Francë.
Macron ka marrë 58% të votave ndaj 42% të Le Pen-it në fitore më të ngushtë se gara e tyre e mëparshme më 2017. Duke folur me mbështetësit përpara Kullës Eiffel në Paris, ai falënderoi votuesit francezë që i besuan pas “pesë vjetëve të vështira”./21Media

Back to top button