Gjatë verës dhe në fundjavë, Shqipëri-Kosovë pa kufij

Po mbahet mbledhja midis Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, sot – 20 qershor.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se në kuadër të kësaj mbledhje sot nënshkruhet marrëveshja për lehtësimin e procedurës së kalimit në pikën kufitare Vërmicë-Merdare.
“Policia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë gëzojnë bashkëpunim të shkëlqyer në luftimin e ilegatiliteteve që cenojnë sigurinë e dy vendeve. Në kuadër të kësaj sot do të nënshkruajmë marrëveshjen që do të krijojë lehtësira në pikëkalimet kufitare, në pikën e cila ka kalimin më të madh të qytetarëve të dy vendeve Vërmicë-Merdare, kjo marrëveshje do të zvogëlojë procedurat e pritjeve, deri në fund të shtatorit do të ketë kalim të lehtësuar të kufirit, marrëveshja përcakton procedura lehtësuese për çdo fundjavë dhe çdo festë zyrtare të vendeve”, u shpreh Sveçla.

Në fundjavë dhe për festat zyrtare nuk do të ketë kufij Shqipëri-Kosovë. Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi ka prezantuar sot marrëveshjen që do nënshkruhet për krijimin e lehtësirave të kalimit në kufirin Shqipëri-Kosovë dhe anasjelltas.
“Protokolli i parë që do nënshkruajmë me homologun Svelça që përgjatë periudhës së verës dhe gjatë fundjavave kur ka fluks lëvizjeje nga të dyja krahët ne do ta lehtësojmë plotësisht. Nëpërmjet protokollit të parë që do nënshkruajmë do përcaktojmë që prej 1 qershorit deri në 1 shtator, për çdo fundjavë dhe çdo ditë feste shtetërore në kufijtë tanë shtetasit e Kosovës dhe Shqipërisë do kalojnë pa qenë nevoja e regjistrimit nga organet kufitare në mënyrë që të mos krijohet asnjë radhë apo vonesë për qytetarët në të dyja anët”, tha ministri Çuçi./21Media

Back to top button