Rreth 600 mjekë të papunë, a do të punësohen?
Valbon Krasniqi tha se Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës ka një numër të kufizuar të personelit shëndetësor të cilin lejohet ta punësojë, shkak i kufizimeve buxhetore.
Në Argument Plus të RTV21, Krasniqi tregoi se në nivel të SHSKUK-së janë 7 mijë e 430 punëtorë, numër ky që plotësohet vazhdimisht pasi lirohen vendet e punës.
Ai tregoi tutje se në SHSKUK kanë momentalisht më së shumti nevojë për infermierë.
“Kemi pasur hapësirë për diku rreth 30 infermierë, dhe është një konkurs duhet u zhvilluar. Fatmirësisht ka shumë të interesuar, më shumë se 500 infermierë kanë aplikuar për 30 vende”, tha Krasniqi.
Drejtori i SHSKUK-së foli edhe për pagat e personelit shëndetësor, ku tha se komiteti shëndetësor qe 20 vjet po pret rritjen e pagave.
“Nuk e di se si do të shkojnë punët e Ligjit të Pagave, por është nevojë që më në fund edhe punëtorët shëndetësorë të kenë vendin e tyre të merituar”, tha Krasniqi në Argument Plus të RTV21.
Sipas Krasniqit, nëse punëtorët shëndetësorë do të kenë pagë të merituar s’do të kenë nevojë të punojnë privat./21Media