Erdogan tha se marrëveshja për grurin do të “lehtësojë rreziqet e urisë” për miliarda njerëz
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, sot tha se marrëveshja e nënshkruar për lehtësimin e eksportit të grurit do të lehtësojë rreziqet e urisë për miliarda njerëz.
“Miliona njerëz do të çlirohen nga ky rrezik i urisë”, tha Erdogan dhe shtoi se në ditët në vijim, do të shohin fillimin e trafikut të anijeve.
“Kjo do të kontribuojë në të gjithë procesin nga eksporti në mbërritjen në destinacion dhe në të gjitha pikat kemi arritur një marrëveshje. Zbatimi i marrëveshjes do të bëhet përmes Qendrës së Përbashkët Koordinuese në Stamboll”, theksoi ai, shkruan CNN.
Ai u shpreh se kanë kryer një proces intensiv dhe të vështirë me Ukrainën, Rusinë dhe zyrtarët e OKB-së për eksportin e grurit.
“Ne ishim në kontakt të vazhdueshëm. Kemi mbajtur konsultime të gjera, Ministrat e Punëve të Jashtme dhe të Mbrojtjes bënë një përpjekje të madhe.”, shtoi ai.
Ndryshe, marrëveshja për të lejuar Ukrainën të rifillojë eksportet e grurit është nënshkruar sot në Stamboll. Ukraina dhe Rusia kanë arritur marrëveshje që do të lejojë rreth 20 milionë tonë drithëra, që kanë qenë subjekt i bllokadës ruse, të eksportohen nga Ukraina./21Media