Osmani shkon në Çeki, do të kërkojë edhe liberalizimin e vizave

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar zyrtarisht për në Çeki ku do të zhvillojë një sërë takimesh me zyrtarë të lartë shtetëror të Çekisë si dhe do të marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare të Forumit 2000, së bashku me liderë të tjerë botëror. Këtë e ka bërë të ditur zyra e Presidentës përmes një komunikate për media.
Çekia aktualisht udhëheqë me presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian, prandaj në këto takime, sipas Presidencës, Osmani do ta adresojë në veçanti çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe avancimin e agjendës evropiane të vendit tonë.
Presidentja ndër të tjera, do të takohet me kryeministrin çek Petr Fiala, me presidentin e Senatit Çek, z. Miloš Vystrčil si dhe me zv.kryeministrin, njëherësh ministër për punë të jashtme të Holandës, z. Wopke Hoekstra.
Në kuadër të kësaj vizite, Osmani do të marrë pjesë dhe do të flasë në konferencën ndërkombëtare të Forumit 2000 me temë: Rreziku i qartë dhe i tashëm i demokracisë: si të përgjigjemi.
Fondacioni Forum 2000, vazhdon trashëgiminë e ish-presidentit çek, Vaclav Havel në mbështetje të vlerave demokratike, respektimit të të drejtave të njeriut, si dhe duke ndihmuar në zhvillimin e shoqërisë civile dhe inkurajuar tolerancën kulturore dhe etnike.
Presidentja në këtë Konferencë do të mbajë dy fjalime si dhe do të marrë pjesë edhe në disa aktivitete të tjera./21Media

Back to top button